Ballina Aktualitet

Garo: Ndryshimet e qeverisë, përpjekje e dështuar për retushim

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Zëdhënësja e grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Floriana Garo u shpreh sot në një deklaratë për shtyp se, “për Partinë Demokratike, ndryshimet e qeverisë, që Edi Rama njoftoi në Asamblenë e tij, janë thjeshtë një përpjekje e dështuar, për një retush pa sukses, të imazhit të organizatës kriminale që drejton”.

“Është e vërtetë se ai dje largoi nga qeveria Olta Xhaçkën, famoze për vjedhjen dhe përvetësimin e pronave të ushtrisë, dhe për shndërrimin e burrit të saj në investitor strategjik. Por, futi në qeveri famëziun Arbjan Mazniku, ortakun e bosit të Ndraghetës të Veronës, Migliorenzi, Mr. Babëzinë, që në postin e zëvendëskryetarit të bashkisë së Tiranës, përveç rrogës si nënkryetar, merrte edhe 11 rroga të tjera. Të pangopurin që ulej në Dubai te “Nusreti” duke porositur biftekun 1 mijë euro, së bashku me Ballukun, Fugën etj.”, tha Garo.

“Edi Rama largoi dje nga qeveria Edonën e Zeusit dhe emëroi Koçiun, famoze të gjobave dhe ryshfeteve në emërime, me të cilën garanton konsolidimin e sistemit e vjedhjes, si paraardhësit e saj në fushën e shëndetësisë”, u shpreh Garo.

“Ai dërgoi në Arsim njërën nga eksponentët kryesore të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, Manastirliun, mbi të cilën rëndojnë dhjetëra dosje miliarda lekësh të vjedhura gjatë pandemisë së Covid-19, dhe mbi 20.000 mijë jetë të marra nga keqtrajtimi i saj, si dhe krime të tjera”, nënvizoi Garo.

“Ai dje hoqi Kushin e Arsimit, që ishte një nxënëse në korrupsion, krahasuar me Denajn, bosen famoze të kontrabandës dhe vjedhjeve në Dogana dhe Tatime”, theksoi ajo.

“Partia Demokratike deklaron se kjo qeveri e dalë nga zgjedhjet, në të cilat krimi u shndërrua në votë dhe vota në krim, nuk ka asnjë legjitimitet dhe, po t’u shtojmë këtyre ndryshimeve edhe emërimin e Taulant Begos në krye të rendit, organizata kriminale që drejton Edi Rama sot është më e inkriminuar se çdo qeveri tjetër në 30 vitet e fundit. Partia Demokratike fton shqiptarët në një lëvizje të fuqishme proteste për shpëtimin e Shqipërisë”, përfundoi Garo.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkia Pogradec, aktivitete të përbashkëta artistike dhe kulturore me qytetin gjerman
Artikulli tjetërTë ardhurat nga pushteti vendor, 17.2 miliardë lekë