TIRANË, 31 gusht /ATSH/ –Ne jemi këtu sot për të diskutuar mbështetjen tonë të mëtejshme për Ukrainën. Shpresoj se do të bëjmë progres në të gjitha propozimet e Komisionit. Propozime të qarta jo vetëm për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, por edhe për të marrë pjesë në përpjekjet e rindërtimit. Shpresojmë se Këshilli do të bëjë progres, tha komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi në një konferencë për shtyp.
“Ne do të diskutojmë gjithashtu grushtin e shtetit në Niger. Natyrisht, ne jemi shumë të shqetësuar për situatën atje, dhe duam të dëgjojmë partnerët tanë afrikanë se si ata e vlerësojnë situatën”, tha ai.
“Lidhur me propozimin e presidentit të KE-së, Charles Michel për zgjerimin e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, unë mendoj se nëse ky është një mesazh i KE-së për t’u angazhuar më në fund, dhe për të hedhur një hap të madh për të realizuar Zgjerimin, ky është një lajm i mirëpritur”, tha Oliver Varhelyi.
“Sigurisht, Komisioni ka qenë gjithmonë i gatshëm të bëjë çdo propozim që do të na çonte drejt Zgjerimit. Nuk mendoj se bëhet fjalë për një datë të caktuar. Mendoj se është më shumë një çështje vullneti, një çështje e plotësimit të kushteve nga ana e BE-së, dhe gjithashtu nga ana e vendeve partnere në Ballkanin Perëndimor apo tri vendeve të tjera kandidate”, shtoi ai.
“Komisioni është i gatshëm të bëjë çdo propozim për të realizuar Zgjerimin dhe këtë do ta shihni në tetor, kur ne të bëjmë propozime thelbësore duke përfshirë Planin e Rritjes, të cilin presidenti ynë e ka shpjeguar tashmë në Bratislavë, që do të përshpejtojë jo vetëm institucionalin, por edhe integrimin real. Integrimi real i njerëzve dhe i ekonomive në Bashkimin Evropian”, tha Varhelyi.
Varhelyi nuk pranoi të komentonte për qëndrimin e Orban lidhur me sanksionet.
“Përsa i përket vendeve që mund të jenë të parat që do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, unë mendoj se janë ato që i plotësojnë kushtet të parat. Pra, do t’i inkurajoja të gjithë vendet që të përshpejtojnë punën e tyre. Mendoj se ato kanë gjithçka tani dhe do të kenë gjithçka në tryezë nga tetori, kështu që shpresoj që të mos jetë vetëm një vend i interesuar për këtë ofertë evropiane, por të gjitha ato”, tha komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë në Bashkimin Evropian, Varhelyi.
“Këshilli është potencialisht i gatshëm për të ndërmarrë një hap gjigant. Që kjo të bëhet realitet, zgjerimi i synuar deri në 2030, duhet te vazhdohet me të gjitha propozimet që po bëjmë dhe të merret çdo vendim i mundshëm, sado i vogël apo i madh qoftë ai. Si për shembull, marrja e vendimeve në Konferencën Ndërqeveritare, marrja e vendimeve për financimin, marrja e vendimeve për integrimin real në Bashkimin Evropian, tashmë para anëtarësimit”, theksoi ai. //a.i/























