TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Rreth 20 fëmijë polakë janë paraqitur në urgjencën e spitalit të Vlorës mbrëmjen e sotme, pasi kanë shfaqur shqetësime gastrointestinale.
Drejtoresha e Spitalit të Vlorës, Bruna Mersini në një deklaratë për mediet bën të ditur se gjendja e fëmijëve është normalizuar dhe se situata është nën kontroll.
Sipas Mersinit, për të kuptuar shkaqet e shfaqjes së shqetësimeve ka nisur edhe hetimi epidemiologjik.
“Situata ka ardhur pasi këta fëmijë kanë udhëtuar gjithë ditën, pasi kanë ardhur nga Shkodra që prej mëngjesit dhe kanë marrë anijen për në ishullin e Karaburunit. Në momentin që na vjen një person me çrregullime gastrointestinale, fillojmë hetimin. Është hetim epidemiologjik dhe gjithë skuadra e hetimit është duke kryer analizat përkatëse dhe shumë shpejt do të dalim në një konkluzion. Këta janë fëmijë, edhe vapa, edhe qëndrimi në diell në Karaburun, mund të jetë një arsye e dytë që ka shkaktuar situatën. Kështu që pa dalë analizat, pa dalë rezultatet e para, pa u kryer hetimi, ne nuk mund të japim një konkluzion. Gjendja shëndetësore e tyre është nën kontroll, si çdo lloj shqetësimi tjetër gastrointestinal”, u shpreh ajo.
AKU: Situata e pacientëve nuk paraqitet kritike dhe AKU po kontrollon të gjithë subjektet sipas itinerarit të turistëve
Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë bëri të ditur mbrëmjen e sotme se AKU po kontrollon të gjithë subjektet sipas itinerarit të disa pacientë të rinj nga Polonia, të cilët u paraqitën në spitaline Vlorës me shqetësime gastroinestinale. Të rinjt♪7 polak♪7 ishin me pushime në Shkodër e kanë udhëtuar drejt Vlorës.
Pas udhëtimit me anije në Vlorë, menjëherë, janë paraqitur për kujdes mjekësor pranë Spitalit Rajonal Vlorë.
“Momentalisht, do donim të siguronim publikun e gjerë që situata e pacientëve nuk paraqitet kritike dhe AKU po kontrollon të gjithë subjektet sipas itinerarit të turistëve. I bëjmë thirrje operatorëve të kenë kujdes dhe të mos operojnë me shërbim ushqimi pa qenë të autorizuar e të licencuar lidhur me kriteret e sigurisë ushqimore dhe të kenë kujdes me kushtet e ruajtjes në temperaturat e larta të sezonit. I bëjmë thirrje konsumatorëve të mos konsumojnë ushqime që kanë qëndruar për më shumë se 2 ore pas gatimit jashtë frigoriferit”, thuhet në deklaratën e AKU-së.
DRAKU Vlorë po ashtu inofrmoi se po bashkëpunon me autoritetet vendore shëndetësore dhe agjencitë ligjzbatuese për udhëheqjen e një hetimi toksikologjik lidhur me çështjen.
“Objektivi ynë kryesor është përcaktimi i burimit dhe shkakut të kësaj incidence ushqimore që ka prekur pacientët. Gjetjet paraprake orientojnë tek një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta. Shëndeti dhe siguria e konsumatorëve janë rëndësia e posaçme e punës së AKU-së dhe për këtë po mbledhim informacionin e dobishëm për të evidentuar e identifikuar çdo gabim në protokollet e sigurisë ushqimore, për t’i adresuar siç ligji parashikon. Skuadra jonë po koordinohet me profesionistët e kujdesit shëndetësor në Spitalin Rajonal të Vlorës për t’u siguruar që pacientët të marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor”, citohet deklarata.





















