Ballina Bota

SHBA – Trump rikonfirmon qëndrimin larg debateve televizive

UASHINGTON, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Debati i parë televiziv përpara zgjedhjeve paraprake të partisë Republikane në SHBA do të zhvillohet pa ish-presidentin Donald Trump, konfirmoi dje ky i fundit.

“Publiku e di se kush jam dhe çfarë presidence të suksesshme kam pasur”, shkroi Trump të dielën në mbrëmje në Truth Social, platformën që ai bashkëthemeloi.

“PRANDAJ NUK DO TË BËJ DEBATE!”, Trump vazhdoi me shkronja të mëdha, duke shtuar se ai jo vetëm që do të qëndrojë larg debatit të parë republikan të mërkurën, por edhe nga debatet e mëtejshme televizive të brendshme partiake të partisë së tij.

Njoftimi i Trump nuk është befasi.

Mediat amerikane kishin raportuar më parë, duke cituar persona të përfshirë në këtë çështje, se ai nuk do të ishte i pranishëm të mërkurën.

Trump kishte treguar se nuk do të merrte pjesë.

Kishte spekulime nëse ai mund të jepte një intervistë për Tucker Carlson, ish-prezantuesin e ”Fox News”, të shkarkuar së fundmi.

Kjo do të ishte një fyerje për Partinë Republikane dhe stacionin televiziv të krahut të djathtë.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence dhe ish-guvernatori i Karolinës së Jugut, Nikki Haley, pritet të marrin pjesë në debat.

Zgjedhjet paraprake republikane do të zhvillohen nga janari deri në qershor 2024, me zgjedhjet presidenciale më pas në nëntor.

Trump ka një epërsi në zgjedhjet paraprake republikane./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: TEA, udhërrëfyesi që ndihmon turistët e huaj të zbulojnë Shqipërinë
Artikulli tjetërRrezikuan të mbyteshin pasi u pësoi defekt mjeti lundrues, shpëtohen dy të rinj në Shëngjin