TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Siguria ushqimore qëndron në prioritet të punës të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frifa Krifca, tha se “stukturat përkatëse, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, monitorojnë tregun në vijueshmëri për të sjellë pranë konsumatorit, produkte të sigurta dhe të gjurmueshme”.
“Njësitë tregtare të mishit nuk mund të tregtojnë mish pa vulën e sigurisë, të lëshuar nga AKVMB. Veterinerët tanë janë të vendosur pranë çdo thertoreje për të kryer kontrollet para e pas therjes, dhe nëse gjykohet që mishi është i përshtatshëm për konsum, bëhet vulosja e tij”, u shpreh Krifca.
Ministrja informoi se, për të garantuar sigurinë ushqimore, veterinerët zyrtarë të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve nuk lejojnë futjen në thertore të kafshëve që janë të pamatrikulluara, apo që nuk janë të pajisura me certifikatën shëndetësore të lëvizjes.
“Kjo mbyllje e ciklit të prodhimit shtazor plotëson kontrollin shëndetësor dhe mirëqenies së kafshëve nga lindja, deri në produkt, si dhe mundëson dhe koordinon informacionin në kohë me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit”, tha Krifca.
Ajo informoi se, në funksion të sigurisë ushqimore, secila prej thertoreve ka një kod unik, gjë që bën të mundur gjurmueshmërinë e mishit, teksa ftoi qytetarët, t’i kërkojnë pikës së tregtimit shenjën e vulës zyrtare të AKVMB në mish, për të pasur garanci në produktin që konsumojnë.
Në raste abuzimi nga njësitë e tregtimit të mishit, denonconi, apeloi Krifca.

/r.e/























