Ballina Aktualitet

Berisha: Përpjekjet për të mbyllur hetimin për aferës së djegësve dështuan

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, përpjekjet për të mbyllur hetimin për aferës së djegësve dështuan.

Në konferencën e përjavshme për shtyp, Berisha tha se, “përpjekja për të mbyllur hetimet për vjedhjen e shekullit me 3 persona në arrati, Arben Ahmetaj, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, është një përpjekjet më antiligjore, më qesharake dhe më të rrezikshme. Dhe kjo në fakt siç e shikoni, propaganda, por jo vetëm ajo, këtu e ka qëllimin madhor”.

“Përveç këtyre ishte edhe asambleja anti-Damian, edhe ajo është pjesë e hetimit strikt partiak se u bë me dyer të mbyllura, u mblodh një asamble për t’i thënë popullit se unë e shkarkova Damian Gjiknurin”, u shpreh Berisha.

“E vërteta është se njëherë dhe 100 herë, po ta analizosh dhe studiosh këtë rast, në këtë aspekt kam një privilegj të veçantë se jam ish-kryeministër dhe duke qenë se afera e djegësve buron e tëra nga Këshilli i Ministrave, dua të shprehem këtu se Edi Rama është ligjërisht dhe penalisht, përgjegjësi më kryesor i kësaj afere”, tha Berisha.

Më tej Berisha foli edhe për ‘EcoParku’-n e Porto Romanos, i cili tha ai, është i lidhur me aferën e shekullit.

“Dua të ndalem këtu për aferën e Porto Romanos, e cila është një aferë brenda aferës së shekullit ku nxin firma personale, direkte e Edi Ramës, firmë me të cilën ai provon se është përgjegjës kryesor ligjërisht dhe penalisht për shpërdorimin e 19 mln eurove nga buxheti i shtetit”, tha Berisha.

“Në verën e vitit 2019, Edi Rama deklaron publikisht për të kthyer në park të gjelbër zonën e mbetjeve në Porto Romano. Të ashtuquajturin ‘EcoPark Durrës’, Edi Rama deklaroi se do ta bëjë me firmën e privatit. Në përputhje me direktivën e tij, më datën 16 tetor 2019, shpallet tenderi për ndërtimin e ‘EcoPark Durrës’. Procedura në mënyrën më paradoksale anulohet në 3 dhjetor 2019, vetëm 3 ditë para se të hapeshin ofertat. Anulohet, çka përbën vepër penale dhe penalitet të rënda të autoritetit kontraktues”, u shpreh ai.

“Në datën 16 dhjetor 2019, Edi Rama firmos një vendim si kryetar i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe ky vendim ka 2 pika: Mbetjet e krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, për qarkun Tiranë, Lezhë, Durrës do të depozitoheshin në landfillin e Porto Romanos. AKUM ngarkohet për inkapsulimin e zonës së Porto Romanos rijetësimin e kësaj zone me procedurë të përshpejtuar të kësaj zone, për shkak të emergjencës së krijuar”, theksoi Berisha.

“Në datën 21 dhjetor 2019, mes kompanisë ‘Viktoria Invest’ dhe kompanisë ‘De mare SRL’, ndodh 17 maji, lidhet një marrëveshje bashkëpunimi, për të marrë pjesë në procedurën tenderuese të AKUM. Më datën 27 dhjetor 2019, mes AKUM dhe kompanisë së krijuar si ‘marrëveshja e 17 majit De Mare dhe Viktoria’, lidhet kontrata me negocim të drejtpërdrejtë. E marrin me urdhër këto të dyja, vlerën përsëri të njëjtë, 1.9 miliardë lekë”, tha Berisha.

“Në datën 14 maj 2020, ky bashkim kompanish ‘De Mare SRL dhe Viktoria Invest’ ose ndryshe ‘marrëveshja e 17 majit’ këto të dyja nënshkruajnë një marrëveshje me kompaninë ‘Arkon ShPK’, në pronësi të Denis Ymerit dhe nënkontraktimi shkon në vlerën 649 milionë lekë. Me datën 23 nëntor 2016, Ilsa Zoto, gruaja e Klodian Zotos, i shet aksionet tek Denis Ymeri. Në datën 4 maj 2020 kompania ndryshon emrin nga ‘Artemis Farm’ në ‘Arkon’. Habia dhe misteri i dytë i Edi Ramës qëndron në faktin se me datën 1 prill 2019, 13 muaj para këtyre marrëveshjeve lidhet një kontratë mes ‘Integrate Energy SHPK’, kompanisë së djegësit të Tiranës dhe studios arkitekturore ‘Casanova Hernandes’ dhe objekti i kësaj kontrate ishte projekti i ‘EcoPark’ Durrës mbi landifillin ekzistues në Porto Romano”, vijoi Berisha.

“Këtu kemi të bëjmë me ëndrra korruptive. Zoto e parashikon që duhet të vjedhin me një projekt, të bëjmë një projekt që të vjedhim  edhe në Porto Romano 19 mln. Rama, ky e ka bërë me datën 1 prill, Zoto firmos me Rea Xhillarin dhe ‘Casanovën’ se Rea është nënkontraktore aty, është e pamëshirë, nuk njeh ligj dhe standard. Këta nënshkruajnë, bëjnë projektin dhe tre muaj mbrapa Edi Rama del e thotë se do të ndërtoj një ‘EcoPark’ në Durrës, këta projektin e kanë gati. Zoto ka paguar 225 mijë euro kompanisë dhe nënkontraktores Rea Xhillari, thjeshtrës të themi. Dhe këtu fillon pastaj zinxhiri i tenderave, që ju e dëgjuat”, theksoi Berisha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakISHSH: 72 masa administrative për subjektet akomoduese
Artikulli tjetërJole me ambasadorin e Azerbajxhanit, bisedojnë për gazifikimin e Korçës