TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Në kuadër të përgatitjeve për Censin e Popullsisë dhe Banesave 2023, i planifikuar nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), bashkia Shkodër ka ngritur komision të posaçëm të censit në nivel bashkie.
Ky komision në bashkëpunim me përfaqësuesit e Zyrës Rajonale të INSTAT po organizojnë punën për mbarëvajtjen e këtij procesi në bashkinë e Shkodrës.
Në takimin e zhvilluar një muaj më parë në Shkodër, mes kryetarit të bashkisë, Benet Beci me drejtoren e përgjithshme të INSTAT, Elsa Dhuli, është rënë dakord për vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë institucional për realizimin e censit, i cili pritet të nisë në vjeshtën e këtij viti.
Nga ana e bashkisë do të jepet kontributi në disa drejtime, si: në lehtësimin e procesit të rekrutimit të punonjësve që do të angazhohen në terren (anketues), mbështetje me punonjësit e njësive vendore gjatë procesit të numërimit për zgjidhjen e problematikave, identifikimin e personave të pastrehë dhe vendqëndrimet e tyre e të tjera.
Censi i Popullsisë dhe Banesave do të ndjekë metodën universale të numërimit të drejtpërdrejtë bazuar në operacionet në terren me intervistimin e pyetësorëve nga anketuesit, duke përdorur metoda të reja për mbledhjen e të dhënave.
/k.s/r.e/























