PRISHTINE, 8 gusht/ATSH/ Ministri i ri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se e ka filluar një kapitull të ri si ushtarak por mbetet brenda së njëjtës shtëpi e me të njëjtat synime, që sipas tij janë forcimi i vazhdueshëm i ushtrisë dhe anëtarësimi në NATO.
Maqedonci i cili uniformën e ushtarit e ka veshur 25 vjet më parë, ka thënë se ndjehet i nderuar që është vendosur në krye të ministrisë që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ky është reagimi i ministrit Maqedonci:
Sot paradite, jam emëruar Ministër i Mbrojtjes nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti!
Pasi e ka liruar nga detyra ministrin e deritanishëm Armend Mehajn, në një takim të përbashkët edhe me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, Kryeministri Albin Kurti më ka ngarkuar mua me detyrën e Ministrit në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës. Me këtë rast, dua ta falënderoj Kryeministrin Kurti për besimin dhe mbështetjen e deritanishme dhe të mëtutjeshme ndaj meje!
Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ju falënderoj të gjithëve për urimet që më keni dërguar. Shumë punë na presin përpara, bashkë me Kryeministrin Albin Kurtin, me Komandantin Bashkim Jasharin dhe me institucionet e Republikës së Kosovës. /KosovaPress/






















