TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Kryetari i grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të thirrur prej tij se, zgjedhjet lokate të 14 majit ishin më të pabarabartat në histori, pasi Edi Rama refuzoi regjistrimin e kryetarit të koalicionit opozitar.
Mbledhja e forumit u thirr për nisjen e analizës së brendshme dhe zgjedhjeve të 14 majit.
“Këto zgjedhje ishin më të pabarabartat në historinë e pluralizmit, pasi partia kryesore e opozitës, nuk pati asnjë anëtar në komisionet e votimit dhe numërimit të votave. Këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të pabarabartat, pasi PD me 61 kandidatët e saj në mbarë vendin, pati zero financime nga buxheti i shtetit, përkundrejt 1.2 milionë euro që mori paterica e Ramës, Brava-Alibasha me 12 kandidatë”, u shpreh Berisha.
Ai tha se, “rezultati nuk duhet dhe nuk mund të pranohet kurrë”, tha Berisha.
“Dy makineri gjigante funksionuan gjatë kësaj farse elektorale sa kurrë ndonjëherë për shkatërrimin e zgjedhjeve dhe blerjen e votave. Njëra ishte blerja e votës. kësaj here, siç jeni dëshmitar, pasi e shpalli Kodin Zgjedhor si kinezëri, Edi Rama përdori zarfin me 50 mijë lekë për 683 mijë pensionistë”, u shpreh Berisha, teksa vuri në dukje se, “përveç kësaj, Rama shpalli rritjen e rrogave për 187 mijë punonjës”.
Sipas tij, “me vendim zyrtar, kreu i ekzekutivit preku haptas, publikisht 867 mijë votues. Me para. Nuk ishte vetëm kjo. Në kontekst të blerjes publike të votës, u shtuan në ndihmën ekonomike me dhjetëra mijëra qytetarë. Vetëm në rrethin e Peshkopisë, Belinda Balluku mori dhe shpërndau për të blerë votat nga buxheti i shtetit 400 milionë lekë për personat me aftësi ndryshe. Në gjithë Shqipërinë, kjo faturë shkon në miliarda lekë. Për të blerë votën publikisht, u përdorën mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi dhe licenca. Të gjitha këto në shkelje flagrante të Kodit Elektoral dhe Kodit të Venecias. Për të blerë votën u shpenzuan qindra milionë euro në asfalt elektoral, zhavorr elektoral, tubacione elektorale.
Paraja nën dorë u përdor sa asnjëherë më parë. Nisur nga partia e Tom Doshit, paraja nën dorë, ka pasur një efekt të tmerrshëm toksik mbi votën”, theksoi Berisha.
Ai tha se, vlera e votës, çmimi i votës në qendrat ku duhej përmbytur rezultati, arriti deri në 600 euro.
Në blerjen e votave, vijoi Berisha, qeveria angazhoi me dhjetëra dhe qindra biznese, duke iu ngarkuar bizneseve në patronazh, qendra votimi.
“Të gjithë ata të cilët mendojnë se Edi Rama fitoi zgjedhjet, për fat të keq mashtrojnë veten dhe përligjin një farsë të shëmtuar. Ata të cilët, që i njohin fitoren Edi Ramës, u shtroj një pyetje: çfarë zgjedhjesh janë ato kur një gjigant përdor të gjithë potencialin e shtetit, në një kohë kur një parti politike në anën tjetër nuk ka një qindarkë financimi? Në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën, Edi Rama shndërroi shtetin në makineri gjigante elektorale. Administrata e shndërruar në një polici politike ushtroi terror në mbarë Shqipërinë ndaj zgjedhësve shqiptarë. Terrorizuan gjer në kërcënim me jetë të votuesve, në mënyrë që t’i detyrojnë të votojnë për PS-në”, deklaroi Berisha.























