Ballina Aktualitet

Borsh, 10 orë operacion kërkim-shpëtimi gjatë natës në det të hapur në ndihmë të 28-vjeçarit

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Iu fik mjeti lundrues Jet Ski, në mes të detit, gjatë natës, për shkak të një defekti, dhe rrymat detare e zhvendosën 2.5 milje në thellësi (në drejtim të ishullit të Korfuzit), duke i rrezikuar seriozisht jetën, Policia lokalizoi dhe shpëtoi 28-vjeçarin.

Operacioni i kërkim-shpëtimit angazhoi shërbime të Policisë Kufitare të DVKM Vlorë dhe të repartit “Delta”, me 3 mjete lundruese.

Pas marrjes së njoftimit nga miq të shtetasit K. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, se kishin humbur kontaktet me këtë të fundit, pasi rreth orës 20:00, ky shtetas, për qëllime turistike, ishte nisur me Jet Ski, nga Porto Palermo drejt Borshit, shërbime të Policisë Kufitare të DVKM Vlorë dhe të repartit “Delta”, të pajisura me 3 mjete lundruese dhe të asistuara nga peshkatarë të zonës, kanë organizuar punën dhe kanë dalë menjëherë në det të hapur, për të lokalizuar dhe shpëtuar 28-vjeçarin.

Si rezultat i një operacioni kërkim-shpëtimi që zgjati nga ora 20:00 deri në orën 06:20 të ditës së sotme, në det të hapur, të kryer nga shërbime të specializuara të Policisë, u bë i mundur lokalizimi 2.5 milje në thellësi të detit, dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 28-vjeçarit.

Për shkak të një defekti, mjeti lundrues Jet Ski që drejtonte ky shtetas, gjatë natës, ishte fikur në mes të detit dhe rrymat detare e kishin zhvendosur atë, në drejtim të ishullit të Korfuzit.

Pas shpëtimit, mirënjohës për ndërhyrjen e menjëhershme dhe profesionale të Policisë. Shtetasi K. S. u shpreh: “Falënderoj shumë Policinë Kufitare të Himarës dhe të Vlorës, pasi kam 10 orë që rri në det të hapur, për shkak të një defekti që pësoi motori i ujit, dhe rrymat detare më çuan drejt ishullit të Korfuzit. I falënderoj shërbimet pasi erdhën menjëherë me mjetet lundruese dhe më shpëtuan jetën”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMOSKE – Rusia vendos Norvegjinë në listën e vendeve “jomiqësore”
Artikulli tjetërSiguria ushqimore, AKU mbi 2 mijë inspektime në subjektet tregtare