Ballina Bota

FOKUS – Marshall: Shqipëria shembull i shkëlqyer për mjedisin e hapur mediatik

SHUSHA (Azerbajxhan), 23 korrik /ATSH/ – Kontrolli i mjedisit mediatik dhe përdorimi i medias janë një histori që i përket së shkuarës dhe të rinjtë mund t’i drejtohen tani medias sociale, deklaroi presidenti i agjencisë së njohur britanike të lajmeve Press Association, Clive Marshall në Forumin Global të Medias, që po zhvillohet në Shusha, kryeqyteti kulturor i Azerbajxhanit.

”Ja pse mendoj se vende si Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania po japin shembuj të shkëlqyer në këtë drejtim”, deklaroi Marshall.

”Dhe të mendosh për historinë e tyre. Mjedisi për median është shumë i hapur dhe ato kane arritur rezultate shumë të mira edhe në vlerësimet e ndërkombëtarëve”, theksoi ai.

”Mendoj se ne duhet të aspirojmë te të gjitha këto vende në zhvillim, ndërsa media funksionon dhe rritet nën ndikimin e medieve sociale, që të kemi vërtet besim të mjaftueshëm dhe gazetarët të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale”, deklaroi Marshall në panelin me temë “Tendencat e Investimeve dhe Konsumatorit në Media”.

”Nëse jeni duke dhënë mësim, studentët tuaj kanë përballë njerëz që sfidojnë gjithçka dhe me kalimin e kohës ata do të fillojnë të kuptojnë nëse ajo që po lexojnë nga një burim i caktuar qëndron apo jo. Ne duhet të kthehemi në bazat e gazetarisë së mirë dhe gazetarët e mirë i kontrollojnë gjërat e tyre”, shtoi ai duke folur për kontrollin e fakteve në media apo siç njihet ”fact checking”.

”Ata i kontrollojnë lajmet nga dy ose tre burime, përpara se të ketë një teknologji që mund t’i ndihmojë të kuptojnë nëse fotografia e asaj videoje është bërë në atë pjesë të caktuar të botës apo në një pjesë tjetër të saj”, theksoi Marshall.

”Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm se si do t’i mbrojmë ato fakte përmes kontrollit të tyre”, shtoi ai.
”Kështu që unë mendoj se me median publike në veçanti, duke pasur parasysh financimin që shpesh vjen nga qeveritë, duhet të jetë ndarja nga qëllimet e qeverive dhe mënyra e ndarjes se si media publike sillet. Sepse mendoj se të rinjtë janë të zgjuar dhe e kuptojnë propagandën”, theksoi Marshall.

”Kështu që unë mendoj se ndërsa vendet zhvillohen dhe rriten, ata duhet të kenë besim në mediet e tyre publike për t’i lejuar ata të bëjnë punën e tyre, duke qenë të paanshëm, inteligjent dhe objektiv”, përfundoi CEO i Press Association, Clive Marshall./ /a.i/ /ps/ a.jor.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Zâ Fest” mbledh artdashësit në kalanë e Shkodrës
Artikulli tjetërKQZ: Procesi i votimit në Rrogozhinë vijon normalisht