TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se “Lul Basha është në një mision si peng i vërtetë, si një njeri që Edi Rama kur të dojë i pret fletën e arrestit me afat burgimi minimumi 6-vjeçar”.
Në një deklaratë për mediet, Berisha shprehu besimin se me grupin tjetër në PD do të gjejë mirëkuptim të plotë, pasi ata kanë mbajtur qëndrim të drejtë dhe parimor ndaj primareve.
“Kurse me pengun e Edi Ramës, vetëm kur të pranoj Edi Ramën në koalicion, apo në bashkëpunim, mund të pranoj pengun e tij. Nuk mund të ketë. Ai e ka zhveshur veten për shkak të frikës që ka nga burgu dhe është shndërruar në një vegël të verbër të Edi Ramës”, tha Berisha.
Berisha foli edhe për çështjen e inceneratorëve, ku theksoi se me vendimin e datës 2 nëntor 2014, Rama me firmën e tij rishikon buxhetin afatmesëm dhe fut në këtë rishikim djegësin e Elbasanit, kontrata për të cilin do firmosej vetëm një muaj më vonë.
“Kjo shkresë është e datës 2 nëntor, në një kohë kur kontrata është firmosur ditën fatale, siç e kanë quajtur mediat, të qeverisë për djegësat, 16 ose 17 dhjetorin. Së dyti, Edi Rama është personi që ka firmosur lejen e ndërtimit të djegësit të Elbasanit. Së treti, Peleshi ka firmosur në një shkresë ku thotë në mungesë dhe me porosi. Për kryeministrin e vendit nuk mund të firmosë kërkush pa autorizimin e tij. Mund të jenë pesë zëvendëskryeministra, asnjëri nuk mund të firmosë nëse nuk autorizohet nga kryeministri. Autorizimi i kryeministrit për firmën mbi dokument është përgjegjësi e plotë e kryeministrit”, shtoi ai.
Sipas tij, “Peleshi është përgjegjës vetë se ka firmosur një akt të kundërligjshëm dhe çdo njeri që vepron në kundërshtim me ligjin, është përgjegjës për veprimin e tij përpara ligjit”.
“Edi Rama ka një problem tjetër madhor. Problemi i tij madhor është se ka firmën e tij mbi financimin me paratë e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, të djegësit të Elbasanit.
Pra, kjo e bën atë përgjegjësin më kryesor në zbatimin e këtij projekti mafioz. Kurrë ai nuk mund të prekë atë fond për këto qëllime. E fundit te firmat është firma e tij fatale mbi dhënien e bonusit prej 8 pikësh të një kompanie që nuk ekzistonte kurrë, tetë muaj përpara se ajo të themelohej”, shtoi ai.
/m.m/r.e/























