Ballina Flash

Hohmann: Reforma në drejtësi gjithëpërfshirëse, po shohim rezultate

TIRANË, 19 korrik /ATSH/  Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann u shpreh sot se, suksesi i reformës në drejtësi bëri që Shqipëria të fitonte një vend në tavolinën e negociatave.

Në fjalën e saj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Hohmann përmendi reformën në drejtësi. Ajo e cilësoi si një reformë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse.

“Suksesi i reformës në drejtësi bëri që Shqipëria të fitonte një vend në tavolinën e negociatave. Kjo është bileta juaj. Unë nuk arrij ta theksoj sa duhet se sa e rëndësishme është që ruani integritetin e këtyre reformave, të forconi gjyqësorin më tej dhe të siguroheni që shteti i së  drejtës të bëhet një realitet i plotë për çdo qytetar në këtë vend”, tha ajo.

“Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri, nuk mund të ketë sisteme të ndryshme drejtësie. Duhet të ketë diçka që është identifikuesi për Shqipërinë. Dhe i kemi para rezultatet e para dhe vazhdojmë të shohim rezultate”, theksoi Hohmann.

Ajo nënvizoi se, “SPAK-u këtë vit ka dhënë rezultate. Nuk i kam numëruar, por shoh raportet, pastaj një tjetër, një hetim tjetër. Dhe kjo është e rëndësishme sepse është e rëndësishme besueshmëria e sistemit gjyqësor tek qytetarët. Ju duhet të bindni, jo mua, jo BE-në, por qytetarët. Qytetarët duhet të besojnë tek ju dhe duhet të besojnë tek sistemi”.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që, jo vetëm janë aktiv në gjyqësor, por edhe të tjerëve që kanë ndikim tek gjyqësori, që të garantojnë që gjyqësori të japë rezultatet në standardet më të larta europiane dhe të mos ketë dyshime apo pikëpyetje. Kjo është më e rëndësishmja”, tha Hohmann.

“Kjo është dëshira që do kisha për ju dhe e di që Kuvendi ka një rol për të luajtur në këtë drejtim. Prandaj mbështetja për gjyqësorin, duke i ofruar gjyqësorit buxhetin e duhur që të bëjë punën e duhur, që të ketë pajisjet dhe personelin e nevojshëm për të bërë punën e vetë është thelbësore dhe ka efekt domino edhe në fushat e tjera, prandaj nuk duhet të nënvlerësohet. Prandaj është dhe duhet të jetë një nga prioritetet tuaja për të cilin duhet të jeni krenarë dhe kjo është e rëndësishme për të thënë”, theksoi Hohmann.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKampusi i Kolegjit të Europës në Tiranë, Mogherini: Puna vazhdon
Artikulli tjetërXhaçka: Presim mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare deri në fund të vitit