Ballina Flash

Kujtim Spahivogli, artisti që u godit nga regjimi komunist

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Më 7 korrik të vitit 1987, vdiq aktori i njohur shqiptar, Kujtim Spahivogli, emrin e të cilit mban sot Teatri Kombëtar Eksperimental.

Kujtim Spahivogli lindi më 30 korrik të vitit 1932 në Lushnjë. Studimet e larta për teatër i përfundoi shkëlqyeshëm në Moskë, në vitin 1956. Ishte një ndër studentët brilantë të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 u emërua aktor në Teatrin Kombëtar. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve.

Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe Instituti i Lartë i Arteve. Me prishjen e marrëdhënieve diplomatike me BS, studentët që kishin studiuar atje, regjimi komunist i shihte si armiq të mundshëm. Ai u akuzua se dramat e tij sillnin shthurjen morale të femrës dhe jo emancipim.

Spahivogli ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj. Kujtim Spahivogli është themeluesi i “fjalës artistike”. Njëkohësisht ai ishte edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh. Ai shkroi edhe poezi, artikuj dhe ese.

Në 7 korrik 1987 mbylli sytë në Tiranë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLufta ndaj krimit të organizuar, Dumani vizitë në Britaninë e Madhe
Artikulli tjetërFOKUS – Gjermania ndalon duhanin në automjetet me fëmijë