TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Nën drejtimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Administrativ të Sigurimeve Shoqërore.
Ministrja Ibrahimaj gjatë fjalës së saj vlerësoi punën e bërë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore sa i përket mirëmenaxhimit, duke qenë se është arritur të sigurohet një qëndrueshmëri e mirë financiare dhe sipas parashikimeve kjo ecuri do të vijojë edhe më tej.
Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, nga ana tjetër theksoi faktin se tejkalimi i të ardhurave të drejtpërdrejta ka çuar në uljen e subvencionimit nga buxheti i shtetit dhe deficiti i skemës.
Gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore shënuan rritje me rreth 10 miliardë lekë, duke arritur në 49.6 miliardë lekë, nga 39.7 miliardë lekë që ishin për të njëjtën periudhë të 2022-shit.
/r.e/























