Ballina Aktualitet

Clinton pritet me ceremoni zyrtare nga Rama


TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Presidenti i 42-të i SHBA, Bill Clinton po viziton sot për herë të parë Shqipërinë.

Clinton u prit nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i 42-të i SHBA Bill Clinton bënë parakalimin ceremonial dhe nderuan flamujt e dy vendeve.

Në ceremoninë zyrtare marrin pjesë ministra të kabinetit qeveritarë, deputetë të Kuvendit, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtues të institucioneve të ndryshme, si dhe qytetarë që kanë mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri, presidentit të 42-të të SHBA, Bill Clinton.

Ish-presidenti amerikan, Clinton pritet të nderohet sot me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike” nga kryeministri Edi Rama.

“Nderimi me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike” për Presidentin dhe liderin e rrallë Bill Clinton, kontributi i të cilit për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit tonë do të mbetet një trashëgimi e çmuar në faqet e historisë”, ka shkruar Rama, në një postim në rrjetet sociale, teksa ka ndarë videon e ceremonisë së posaçme zyrtare.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMETEO – Kina përjeton verën më të nxehtë që nga viti 1961
Artikulli tjetërSOFT NEWS – Arrestohet një politikan norvegjez për vjedhje syzesh!