TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano, tha se, “përmirësimit rrënjësor të Kadastrës, i vjen në ndihmë edhe një shërbim i rëndësishëm, që ka të bëjë me monitorimin”.
Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Tiranë për prezantimin e reformës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, ku merrte pjesë kryeministri Edi Rama, Çano theksoi se, “monitorimi i lëvrimit të shërbimeve që jepen jo vetëm nga Kadastra, por e gjithë administrata shqiptare, përmes një sistemi i cili është vënë në vendim që në fillim të vitit 2020 i propozuar nga AKSHI që quhet, sistemi i qarkullimit të dokumenteve me nënshkrimin elektronik, është ai sistem që në kohë reale monitoron çdo aplikim i cili hyn përmes e-Albanias, duke i dhënë mundësi institucioneve që të ndërveprojnë me njëra-tjetrën dhe të krijojnë dosjen e aplikimit për qytetarin apo biznesin pa i dhënë atij rëndesën që të gjej dokumentet nëpër zyrat e shtetit”.
“Ky është pikërisht sistemi i cili është pjesë dhe një nga detyrat e rëndësishme të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, punë e përditshme të cilën e zbatojmë me përpikëri”, theksoi ajo.
Sipas saj, në strukturën e re të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, që u miratua në fund të vitit të kaluar është një drejtori e dedikuar për monitorimin e lëvrimit të shërbimeve, e cila monitoron në kohë reale sesi këto aplikime vijnë dhe ndiqen.
Çano, tha se, prej 1 majit 2022, ditën kur sportelet fizike u mbyllën, kanë qenë 202 mijë aplikime të bëra drejt ASHK-së, të cilat janë monitoruar përmes këtij sistemi gjithashtu edhe nga ADISA, e cila punon krahpërkrah me Agjencinë për të monitoruar aplikimet por dhe për zgjidhjen e ankesave që vijnë në platformën e bashkëqeverisjes.
Sipas saj, kjo është mënyra që siguron një ndërveprim në kohë reale me institucionin dhe ka tre qëllime kryesore:
Së pari, platforma i jep në kohë reale titullarit të institucionit të shohi se sa aplikime kanë ardhur, cilat prej tyre janë jashtë afatit, cilët drejtori kanë problematika dhe se si këto do të adresohen në bazë të raporteve ditore që Agjencia harton dhe ka të mundur të shohi se cilat aplikime nuk janë realizuar dhe ku ka ngecur procesi.
Së dyti, ajo ndërton një urë komunikimi të menjëhershme me ankesat të cilat vijnë në platformën e bashkëqeverisjes për shërbime të ndryshme, të cilat janë vonuar apo janë penguar, dhe në moment koordinatorët e agjencisë së bashku me koordinatorët e sistemit, ndërveprojnë për të parë se ku është ky aplikim dhe çfarë mund të bëhet për zgjidhjen e tyre. Ndërsa kemi me mijëra aplikime që janë zgjidhur gjatë këtij viti.
Së treti, ka të bëjë me masat që marrim kur aplikimet nuk kanë shkuar në zgjidhjen e duhur. Kemi koordinatorë të mirëfilltë të cilët ndjekin ankesat dhe aplikimet me vonesa, ku apo për pronat kryesojnë me numrin më të lartë, dhe bëjnë hetime të thelluara, jo vetëm për aplikimet që vijnë, por edhe për tipologji aplikimi, në mënyrë që vetë institucioni të bëhet më i vetëdijshëm për problematikën dhe të zgjidhi sa më shumë rastet dhe të merren masa për personat që pengojnë ecurinë e shërbimit.
Gjithashtu, tha ajo gjatë fjalës së saj, riinxhinierimi është një proces që e kemi nisur përpara dy muajsh dhe është shërbimi që lehtëson barrën e qytetarit dhe biznesit që të mos japin më dokumente të cilat duhet t’i japë vetë institucioni, dhe është një ushtrim që na ka mundësuar një pamje të plotë të të gjithë procesit.
/r.e/























