Ballina Ekonomi

Primet e sigurimit vullnetar rritje me 24.83 %

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Pesha e sigurimeve vullnetare në tregun e sigurimeve pësoi rritje gjatë 5-mujorit të këtij viti.

Referuar raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për periudhën janar-maj të këtij viti, sigurimet vullnetare sollën 41.83 % të primeve të shkruara bruto në sigurimin e Jo-Jetës, nga 38.23 % që kishte qenë pesha e tyre për vitin 2022.

Primet e sigurimit vullnetar gjatë periudhës janar-maj 2023, shënuan rritje me 24.83 %, përkundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, duke arritur rreth 4.1 miliardë lekë.

Rritje shënoi edhe numri i kontratave të sigurimit vullnetar me 2.88%, krahasuar me periudhën janar-maj 2022.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë 5-mujorit janar-maj 2023 patën një rritje me 25.62% kundrejt periudhës janar-maj 2022.

Ndër produktet e sigurimit vullnetar, më i rëndësishmi ngelet sigurimi ndaj zjarrit dhe forcave të natyrës. Në portofolat e “pronës, përgjegjësive, garancive” të cilat gjatë periudhës janar-maj 2023 siguruan mbi 2.2 miliardë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë nëngrupi “zjarri dhe dëmtime të tjera në prone” me rreth 68.96 %, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme, me 22.97 % të totalit.

Në portofolin sigurimi nga “zjarri dhe forcat e natyrës”, gjatë periudhës janar-maj 2023, vihet re një rritje prej 37.38 % e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 5.13 % e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-maj 2022.

Të ardhurat nga sigurimet e “aksidenteve dhe shëndetit” gjatë periudhës janar-maj 2023, arritën në rreth 554 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 7.90 % në krahasim me periudhën janar-maj 2022.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë 5-mujorit arritën rreth 710 milionë lekë, ose 21.88% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFRANCË – 150 të arrestuar gjatë natës së dytë të trazirave
Artikulli tjetërEfektivë të Policisë Ushtarake, pjesë e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguesve në Egjipt