Ballina Ekonomi

Ministrja Bilali jep lajmin e mirë: Së shpejti Shkodra me terminal ndërqytetas të kategorisë “A”

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Në një postim në rrjetet sociale ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, ka dhënë lajmin e mirë për qytetin e saj, Shkodrën, që së shpejti do të ketë për herë të parë terminalin ndërqytetas të kategorisë “A”. Shkodra dhe tre qytete të tjerë do të jenë pjesë e një plani pilot, i financuar dhe nën administrimin e drejtpërdrejtë nga DPSHTRR.

“Shkodra do të ketë terminal të kategorisë “A” duke zgjidhur njëherë e mirë problematikën kaotike të transportit ndërqytetës, të cilat jo vetëm në këto tre dekada ka pasur një orvatje të pakuptimtë, por duke i sjell qytetit dhe qendrës së tij një kaos që i humbiste bukurinë, si Teatrit “Migjeni” dhe “Radio Shkodrës”. Kërkesa për një terminal me standarde ka ardhur jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga turistët e shumtë që vizitojnë Shkodrën si pjesë e një guidë më të gjerë”, njofton ministrja Bilali.

Ministrja Bilali, në takimet e shumta të zhvilluara për këtë çështje, ka kërkuar me ngulm që Shkodra më shumë se askush tjetër ka nevojë për një terminal të tillë, si porta hyrëse e veriut që dërgon turistët deri në skajet më jugorë të Shqipërisë. “Ky terminal do të zhvillohet në zonën e unazës perëndimore të qytetit dhe do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Përveç adresimit të një problematike me rëndësi për qytetin dhe qarkun e Shkodrës, terminali do të jetë shumë funksional, me hapësira zhvillimore, tregtare dhe kulturore. Një mundësi për të gjithë, sidomos për të rinjtë të cilët duan të jenë pranë turistëve”, bëhet me dije nga Bilali.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme Shërbimeve të Transportit Rrugor do të angazhohet konkretisht për financim dhe bashkadministrimin e këtij Terminali të Transportit të Udhëtarëve. Me këtë synohet fuqizimi i rrjetit të linjave ndërqytetëse e turizmit, i sigurisë dhe formalizmit të tregut, mbështetjes për sektorin e transportit rrugor dhe në funksion të Platformës Kombëtare e-Transport e të implementimit të fiskalizimit dhe biletave elektronike, që i shërben direkt qytetarëve dhe vizitorëve të huaj për miliona transferta me autobus çdo vit.

Qarku Shkodër ka një volum total prej 3,402,749 transfertash në vit, frekuencë e cila pritet të rritet me modernizimin e kushteve të infrastrukturën! Financimi i ndërtimit të Terminalit do të jetë direkt nga DPSHTRR, fonde nga vetëfinancimi, e jo nga Buxheti i Shtetit – bën me dije Drejtoria e Përgjithshme Shërbimeve të Transportit Rrugor.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPrezantohet Kalendari Digjital Turistik, Kumbaro: TEA, aplikacioni që do t’jua gëzojë pushimet
Artikulli tjetërSveçla: Zbulohet sasi e madhe e armatimit në veri, policia parandalon sulm terrorist