Ballina Aktualitet

Caka: Largimi i të rinjve shqiptarë, pasojë e keqqeverisjes

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka deklaroi sot se, “largimi i të rinjve shqiptarë është pasojë e keqqeverisjes, korrupsionit dhe shpërblimit të një rrethi njerëzish, të cilët nuk kanë në fokus të punës së tyre zhvillimin e Shqipërisë”.

Në një deklaratë për mediet, Caka u shpreh se, “raporti tematik i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, ka konstatuar një fakt shumë të rëndë për taksapaguesit shqiptarë dhe veçanërisht për të ardhmen e të rinjve dhe fëmijëve në Shqipëri. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Rinisë dhe Fëmijëve nuk ekziston, por në të vërtetë kjo ministri merr nga buxheti i shtetit mbi 1 miliard lekë buxhet çdo vit”.

Caka theksoi se, “nga auditimi u konstatua se nga Ministria nuk janë ndërmarrë hapa për zhvillimin e kompetencave të rëndësishme për hartimin dhe publikimin e raporteve të vlerësimit mbi situatën e të rinjve, zbatimin e politikave dhe veprimtarive rinore, si dhe nuk janë monitoruar standardet për ndërtimin e hapësirave rinore të sigurta dhe të aksesueshme për të rinjtë”.

“Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, nuk ka hartuar, zhvilluar dhe monitoruar politikat, për marrjen e masave për të siguruar jetesën dhe zhvillimin e fëmijës; sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave dhe autoriteteve qendrore e vendore, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijës”, tha Caka.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAnsambli “Tirana” pjesëmarrës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës
Artikulli tjetërGreen Fest mbledh artistët në Mitrovicë për të ndërgjegjësuar mbi mjedisin