Ballina Aktualitet

Kryesia e PD: Gjergj Hani dhe Lulzim Basha kandidat për kryetar

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Kryesia e Partisë Demokratike miratoi kandidaturën e Gjergj  Hanit dhe Lulzim Bashës për kryetar të kësaj force politike.

“Miratimi i kandidaturave për pozicionin e kryetarit të Partisë Demokratike shënon një moment vendimtar për familjen tonë politike. Në prag të çeljes së garës, ne ftojmë çdo demokrat të jetë pjesë aktive e saj dhe e procesit të riorganizimit, nëpërmjet të cilit do të ngrihemi në lartësinë e vlerave dhe aspiratave mbi të cilat Partia Demokratike u themelua në dhjetor të vitit 1990, si forca e parë pro perëndimore dhe si shpresa e shqiptarëve për ndryshim”, thuhet në deklaratën për shtyp të PD-së.

Kryesia e PD-së e vlerësoi të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj.

“Nisur nga zhvillimet e fundit brenda forcës sonë politike, kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson të papranueshëm qëndrimin bojkotues të disa prej anëtarëve të saj dhe fton secilin prej tyre të vetëpërmbahet nga ngritja e pretendimeve të pabaza që dëmtojnë interesat e familjes sonë politike”, thuhet më tej.

Sipas deklaratës së PD-së, “mosnjohja e institucioneve, pretendimet mediatike të pabaza dhe akuzat e pamotivuara nuk ndihmojnë procesin e riorganizimit dhe shfokusojnë përpjekjet e përbashkëta për t’u dhënë demokratëve dhe shqiptarëve një opozitë të fortë dhe një alternativë qeverisëse të denjë për sfidat e Shqipërisë”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKuvendi miraton marrëveshjen për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shën Nikolla-Pulaj
Artikulli tjetërPSIKOLOGJI – Pse fillimisht lexojmë lajmet e këqija e më pas të mirat?