Ballina Flash

Divjakë-Karavasta, unazohen pelikanët e rinj

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta u zhvillua ditët e fundit unazimi i disa prej pelikanëve të ri.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Fier ndau në rrjetet sociale momente nga unazimi i pelikanëve.

“I gjithë operacioni, që zgjati rreth një orë, u ndoq nga trupa e ARTE TV, që po përgatit një dokumentar për jetën e egër në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe punën e stafit të këtij qarku për konservim dhe menaxhim”, theksoi ADZM Fier.

Sipas specialistëve, moratoriumi i gjuetisë ka bërë që vitet e fundit pelikani kaçurrel të shtohet në këtë lagunë.

Laguna e Karavastasë është toka ligatinore më e madhe në Shqipëri për zogjtë migratorë, duke siguruar për ta një habitat të përshtatshëm për t’u ushqyer, kaluar dimrin, shumuar dhe ngritjen e foleve. Ajo është gjithashtu habitati i vetëm në Shqipëri ku mund të rritet pelikani kaçurrel.

Ishujt natyrorë brenda lagunës janë elementi më i rëndësishëm i kësaj zone për ruajtjen e zogjve. Për të shmangur shqetësimet në vende të tjera, pelikanët tani i ngrenë foletë e tyre vetëm në këta ishuj.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLONDËR – Von der Leyen: Asetet e ngrira të Rusisë do të përdoren për rindërtimin e Ukrainës
Artikulli tjetërPresidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, uron “Partizanin” për titullin kampion