TIRANË, 16 qershor/ATSH/- Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha deklaroi sot se “hapjet e dokumenteve dëshmojnë se me 14 maj, shqiptarët përjetuan një farsë të tillë që mund të mbahet mend vetëm në kohërat e diktaturës”.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se “dje, në Kolegjin Elektoral u shqyrtua dosja e Rrogozhinës, në të cilën kutia e burgut të Rrogozhinës nuk plotësonte asnjë kusht ligjor të një qendre të votimit”.
“Para çdo gjykatësi me minimumin e integritetit profesional, ajo shpallej e pavlefshme. Dhe tani gjykata, në një vendim të kontrolluar, shpalli të gjithë zonën të pavlefshme për një qendër votimi”, u shpreh ai.
Sipas tij, kështu janë pjesa dërrmuese e të gjitha bashkive për të cilat janë paraqitur ankesat.
Gjithashtu, Berisha u ndal edhe te situata në Kosovë duke u shprehur se “Rama dhe Vuçiç duan luftë në Kosovë dhe plani i tyre është ndarja e Kosovës”.
Berisha përsëriti thirrjen drejtuar autoriteteve të Kosovës që të bashkëpunojnë për shtensionimin e situatës dhe rikthimin sa më parë të Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje e cila jep një përparim të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve.
/r.e/












