PRISHTINË, 14 qershor /ATSH/ Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për planin pesë pikësh për uljen e tensioneve në veri.
Borrell ka thënë se një takim i ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të organizohet para se Kosova të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën.
“Siç e dini, unë jam i gatshëm të ftoj një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin Vuçiq, me parakushtin që ju të jeni i gatshëm të ndërmerrni fillimisht hapat e nevojshëm për shtensionim dhe të hapni rrugë për zgjedhjet e reja”, ka thënë Borrell në letrën e publikuar nga zëdhënësi i BE-së.
Ai ka thënë se nuk mund të ketë përparim në normalizimin e raporteve derisa “ne merremi me menaxhimin e krizave”.
“27 shtetet e BE-së, por edhe SHBA-të, kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam të shohim që ky proces lëvizë përpara. Andaj, shtensionimi i situatës nevojitet të ndodhë menjëherë. Nëse jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim i ri mund të organizohet shpejt”, ka thënë Borrell në letrën drejtuar Kurtit.
Gjithashtu Borrell ka kërkuar që kryetarët e rinj shqiptar në veri të Kosovës të mos punojnë në objektet komunale, si dhe tërheqjen e Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.
Ai ka theksuar nevojën e mbajtjeve të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.
“Paralelisht ne po i kërkojmë Serbisë të tërheq elementet radikale nga ato zona”, ka thënë ai./KosovaPress/






















