Ballina Aktualitet

Urimet në 32-vjetorin e PS-së

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Në 32-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, politikanë dhe drejtues të kësaj force politike dhanë urimet e tyre.

Gjiknuri: PS, alternativa më progresiste në Shqipëri

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në 32-vjetorin e krijimit të PS-së, u shpreh se kjo forcë politike ka dëshmuar më së miri në këto vite se është alternativa më progresiste në Shqipëri.

“Një falënderim i përzemërt sot për ata burra e gra, vajza e djem që 32 vite më parë, vendosën së bashku të themelojnë Partinë Socialiste të Shqipërisë! Nuk kemi pse të mos ndjehemi sot krenar. Kjo forcë politike ka dëshmuar më së miri në këto vite se është alternativa më progresiste në Shqipëri. Është energjia pozitive që ka ditur të udhëheqë vendin vetëm përpara duke u përballur jo rrallë me sfida të shumëfishta”, tha ai.

Gjiknuri shprehu mirënjohjen për këdo që u angazhua ndër vite si pjesë e Partisë Socialiste, këdo që dha sado pak nga vetja për të bërë realitet ëndrrën tonë të përbashkët, çdo anëtar partie, patronazhist, simpatizant dhe drejtues.

“Pa ju, sigurisht nuk do të kishte qenë e mundur të kemi partinë që shohim sot. Fitorja e thellë dhe e padiskutueshme në 14 Maj është “dhurata” më e bukur për këtë 32-vjetor. Një “dhuratë” që duhet dhe do të na bëjë edhe më të përgjegjshëm në qeverisjen e vendit, falë aftësisë sonë për t’u vetëkorrigjuar e përmirësuar”, tha ai.

Balla: Forca politike më e madhe në vend

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla uroi sot 32-vjetorin e Partisë Socialiste, duke e cilësuar si forca politike më e madhe në vend.

Balla u shpreh se PS ka qenë gjithnjë në anën e duhur të historisë për të krijuar një shtet me institucione funksionale, ku respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit është detyrim i zbatueshëm dhe i barabartë për çdo shtetas shqiptar.

“Gëzuar ditëlindjen e 32-të Partisë Socialiste të Shqipërisë, forcës më të madhe politike të shqiptarëve, forca kryesore që spikat në përpjekjen dhe orientimin proeuropeist për të ndërtuar dhe forcuar shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, mbi parimet e solidaritetit social.

Sipas tij, “Partia Socialiste në gjithë rrugëtimin e saj ka qenë dhe mbetet në anën e duhur të historisë së Shqipërisë, për një shtet shqiptar me institucione funksionale, ku respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit është detyrim i zbatueshëm dhe i barabartë për çdo shtetas shqiptar”.

“Urime të gjithë anëtarëve, patronazhistëve, aktivistëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste”, tha Balla.

Spiropali: PS projekton sukses për të gjithë shoqërinë shqiptare

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali uroi sot në 32-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste.
“32 vjet janë vetëm një hapmbyllje sysh në jetën e një kombi, por janë shumë për një jetë njerëzore. Dhe në këto 32 vjet, ne, socialistët shqiptarë kemi shkruar një kapitull njerëzor në historinë e kombit tonë. Ne bëmë dhe po bëjmë punën e disa brezave njëherësh për t’i trashëguar brezit të fëmijëve tanë Shqipërinë evropiane, Shqipërinë krenare për çfarë është dhe çfarë do të jetë!”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.
“Ne besuam aty ku shumëkush dyshonte, ne qëndruam kur shumë vendosën të ikin, ne ndërtuam aty ku të tjerët merrnin kazmat e shkatërrimit, ne kuruam me dhembshuri atë që të tjerët e sëmurën, ne shihnim dhe shohim nga e ardhmja, aty ku të tjerët projektonin dhe projektojnë të shkuarën”, vijoi ajo.
Spiropali u shpreh se Partia Socialiste është bashkimi i themeluesve të djeshëm, i opozitarëve krenarë që i dhanë vendit alternativën e të majtës moderne, e shtetformuesve të mandatëve të para dhe punëtorëve modestë të së sotmes.
“Partia jonë është refleks i shoqërisë shqiptare, me të mirat dhe defektet e saj. Ajo nuk është një ishull që nuk e prek e liga, por një organizëm i gjallë që reflekton nga gabimet dhe projekton sukses për të gjithë shoqërinë shqiptare. Partia Socialiste, e djeshme dhe e sotme është puna për Shqipërinë e besimit, respektit dhe mundësisë për çdo shqiptar.
Fitorja që sapo mori Shqipëria dhe jo vetëm Partia Socialiste, në 14 maj, me Edi Ramën kryetar dhe kryeministër është amaneti i të parëve, vullneti i të rinjve dhe të gjithëve pa dallim, për bashkimin me familjen tonë evropiane, çka do ta bëjë Shqipërinë më të fortë, më të sigurt, më të begatë, do ta bëjë atdheun shtëpinë e premtuar të të gjithë shqiptarëve”, tha ajo.
Veliaj: PS, familja më e madhe e shqiptarëve
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar 32-vjetorin e Partisë Socialiste.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “Gëzuar ditëlindjen e 32-të Partia Socialiste, familja më e madhe e shqiptarëve dhe forca më progresiste në vend, që gjithmone ka punuar dhe do të vijojë të punojë për interesat më të mira të qytetarëve”.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAUSTRALI – Të paktën 10 persona humbën jetën në një aksident automobilistik
Artikulli tjetërKOMENT – Manchester City FC angazhim të palëkundur ndaj vizionit, arritjeve dhe largpamësisë