TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj do të mbledhë nesër, më 13 qershor, Këshillin e Sigurimit Kombëtar për të diskutuar mbi gjendjen e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë.
Përmes një njoftimit për shtyp të Presidencës bëhet e ditur se thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar synon të bëjë një analizë gjendjes aktuale të sigurisë kibernetike, sfidave dhe kërcënimeve me të cilat përballemi në këtë drejtim.
Institucionet përgjegjëse do të informojnë Këshillin e Sigurimit Kombëtar për masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në zbatim të rekomandimeve të dhëna nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, në muajt tetor 2022 dhe janar 2023.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje do të jenë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Po ashtu, në mbledhje do të marrin pjesë edhe kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Nasip Naço, shefi Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral brigade Arben Kingji, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Në këtë mbledhje janë ftuar të marrin pjesë edhe zv/kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Ferdinand Xhaferraj, drejtori i Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa dhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj.
/m.m/r.e/























