Ballina Flash

Dita Botërore e Mjedisit, Kumbaro: Për ruajtjen kërkohet bashkëpunimi i secilit

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Sot është Dita Botërore e Mjedisit, e cila çdo vit i kujton njerëzve rëndësinë e natyrës për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ruajtur mjedisin.

Në Ditën Botërore të Mjedisit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale i bëri apel qytetarëve të mbajnë pastër mjedisin.

Sipas saj, kjo nuk arrihet dot vetëm, pa ndihmën dhe bashkëpunimin e secilit prej qytetarëve.

“Me reflektimin se natyra nuk është një vend që e vizitojmë herë pas here, por është shtëpia jonë e vetme ku jetojmë ditë për ditë dhe nuk e mbrojmë dot vetëm, pa ndihmën dhe bashkëpunimin e secilit prej jush. E nëse s’ndihmon dot, të paktën mos ndot”, tha  Kumbaro.

Dita Ndërkombëtare e Mjedisit u caktua 50 vjet më parë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Qëllimi i këtij vendimi ishte për të shtuar ndërgjegjësimin rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim. 5 qershori u zgjodh si datë sepse përkon me ditën e hapjes së Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTensionet në veri, Escobar dhe Lajçak sot në Kosovë
Artikulli tjetërManastirliu: 61 mijë fëmijë, depistime e trajtime falas të kujdesit dentar