Ballina Aktualitet

AIDSSH nis hetim për fatin e 44 të zhdukurve në burgun e Spaçit

Tiranë 2 qershor/ATSH/ Autoriteti i Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit nis hetim administrativ për zbulimin e vendvarrimeve të fshehta për qartësimin e fatit të 44 të zhdukurve në burgun e Spaçit.

Në një njoftim për mediet, Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, bëri me dije të premten se, ka nisur hetimin e administrativ për verifikimin mbi vendvarrimet e dyshuara, qartësimin e fatit të 44 të zhdukurve, bashkëpunimin me organet e pushtetit lokal për ruajtjen nga tjetërsimi, si dhe bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese për rikuperimin e eshtrave të personave të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit, në burgun e Spaçit.

Sipas njoftimit, grupi i specialistëve të Autoritetit, në bashkëpunim me institucionet vendore punuan për mbledhjen e fakteve paraprake, dëshmive dhe të dhënave rreth burgut të Spaçit, me qëllim hedhjen dritë mbi pasojat që ka sjellë shfrytëzimi i punës dhe dhuna ndaj të dënuarve në Kampin e Punës së Detyruar – Spaç.

Autoriteti mori nismën në përkujtim të 50-vjetorit të revoltës së të burgosurve në Spaç, gjatë së cilës lindi si nevojë hetimi i thelluar mbi ngjarjen, arsyet që sollën zhvillimin e saj dhe pasojat.

“Nisur nga analiza e dokumentacionit arkivor të ish-Sigurimit të Shtetit dhe dokumenteve të tjera zyrtare mbi punën e detyruar, impaktin e saj në ekonominë e vendit, dëshmitë gojore autentike të ish-të burgosurve politikë në këtë kamp, si dhe nga komunikimi me institucionet lokale, Autoriteti ndërtoi narativën mbi ngjarjen dhe historinë e burgut-kamp të Spaçit, ku mes të tjerash lindi nevoja e verifikimit të dyshimeve, të raportuara, për vendvarrimet e fshehta dhe qartësimit të fatit të personave që kanë humbur jetën në këtë burg, si rezultat i ekzekutimeve, vrasjeve apo edhe vdekjeve të të burgosurve gjatë vuajtjes së dënimit”, bëhet me dije në njoftim.

“Nga kërkimet e bëra në dokumentet që gjenden në Autoritet, apo në institucione të tjera, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë 44 ish të dënuar, që janë ekzekutuar, vrarë ose kanë vdekur nga mundimi dhe sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, aksidentet në punë apo në tentativë arratisje”, sqaron Autoriteti i Dosjeve.

Autoriteti njofton se, “sipas hetimeve paraprake të grupit të punës janë siguruar fakte të tilla si: Personat që ekzekutoheshin, apo vdisnin gjatë vuajtjes së dënimit varroseshin nga personeli i burgut në vende jashtë territorit të burgut, duke u pamundësuar të afërmve të tyre në çdo rast që të marrin trupin; vendet që kanë shërbyer si vendvarrime për të burgosurit që kanë humbur jetën në Spaç, dyshohet se gjenden pranë varrezave të fshatit Shpal, në fshatin Gëziq, Kodër Spaç, rreth 1 km në jugperëndim të Burgut të Spaçit; si dhe në disa raste ekzekutimet janë kryer në vende, ku si kriter i vetëm ishte largësia nga zonat e banuara”.

Autoritetit po ashtu sqaron se, është në pritje të miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuar”. Autoriteti, si një nga autoritetet përgjegjëse, po merr masat paraprake dhe do të ndërveprojë me pushtetin vendor Mirditë, duke siguruar mbrojtjen e vendvarrimeve të identifikuara apo dyshuara, duke siguruar në çdo rast ruajtjen e integritetit të vendit të ngjarjes dhe mbetjeve mortore.

Autoriteti siguron publikun se rezultatet e këtij hetimi do të bëhen transparente dhe me punën e tij të thelluar, në bashkëpunim me institucione përgjegjëse, do të bëjë ç‘është e mundur që plaga e pambyllur e familjeve, të cilat janë në kërkim të qartësimit të fatit të familjarit të tyre, vrarë pa gjyq apo ekzekutuar në kushte jo njerëzore, të mbyllet me gjetjen e tyre dhe nderimin që u takon, pranë familjeve.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKorçë, 367 drejtues mjetesh të gjobitur për tejkalim të shpejtësisë së lejuar
Artikulli tjetërHELSINKI – Blinken: Lufta e Putinit një rast studimi në dështim strategjik