TIRANË, 31 maj/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro priti në një takim Inger Andersen, drejtoreshë ekzekutive e UNEP – Programi Mjedisor i Kombeve të Bashkuara.
Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga takimi me Andersen, ndërsa theksoi se është hera e parë në 51 vjet që drejtuesi më i lartë i UNEP viziton Shqipërinë.
“Kemi projekte konkrete, që nga puna për krijimin e parkut ndërkufitar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut ku përfshihet Korab-Koritniku, te projekti për mbrojtjen e biodiversitetit në Alpet e Shqipërisë që vijnë si Park Kombëtar me sipërfaqe të dyfishuar”, tha Kumbaro.
Kumbaro u shpreh se një tjetër projekt është vazhdimi i nismave ligjore për ndalimin e plastikës njëpërdorimshe që ka mbështetjen maksimale të UNEP dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe përgatitjen e një prezantimi të përbashkët në COP28 – Samiti botëror i klimës.
/k.s/r.e


















