Ballina Flash

Digjen disa vetura të Policisë në Zveçan

PRISHTINË, 26 maj /ATSH/  Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë.

Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.

Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviçit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten. Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kishin dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Kala Festival”, mbi 3000 vizitorë të huaj në bregdetin e Dhërmiut
Artikulli tjetërOsmani: OSBE vlerëson partneritetin me Kosovën