Ballina Bota

SHBA – DASH kërkon lirimin e 1500 të burgosurve politikë në Bjellorusi

UASHINGTON, 21 maj /ATSH-DPA/ – SHBA-ja ka kërkuar lirimin e më shumë se 1500 të burgosurve politikë nga Bjellorusia, sipas një deklarate zyrtare dje në mbrëmje.

“Këta burra dhe gra janë arrestuar dhe burgosur për ushtrimin e të drejtave të tyre njerëzore dhe lirive themelore në ndjekje të demokracisë bjelloruse, për protestë ndaj zgjedhjeve të falsifikuara, apo për kundërshtimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, shkroi Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

“Shumë nga gjyqet e tyre u mbajtën me dyer të mbyllura, të mbrojtura nga shqyrtimi publik apo përgjegjësia”, sipas DASH.

Deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit erdhi në prag të Ditës së Solidaritetit me të Burgosurit Politikë Bjellorusë, më 21 maj.

Uashingtoni dënoi Bjellorusinë për ndërprerjen e komunikimit midis të burgosurve politikë dhe familjeve dhe të dashurve të tyre.

Në disa raste, të afërmit dhe avokatët nuk e dinë as ku mbahen të burgosurit.

Sundimtari autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko shpesh përshkruhet si diktatori i fundit i Evropës.

Ai është një aleat i vendosur i presidentit rus, Vladimir Putin dhe mbështetja e Putinit pjesërisht e ndihmoi atë të fitonte zgjedhjet e vitit 2020.

Minsk gjithashtu i ka dhënë mbështetje Moskës në luftën në Ukrainë, duke lejuar forcat ruse të përdorin territorin bjellorus për të organizuar dhe nisur sulme ndaj Ukrainës fqinje.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOsmani: Ushtrimi “Defender Europe ’23”, historik për Kosovën
Artikulli tjetër50-vjetori i revoltës së Spaçit, Basha: Mirënjohje përjetë heronjve të lirisë