Ballina Aktualitet

Begaj: Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar rol aktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Në kuadër të pjesëmarrjes në ceremonitë e inaugurimit të Presidentit të ri të Malit të Zi, Presidenti i Republikës Bajram Begaj u takua edhe me të Ngarkuarin e Posaçëm të Qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach.

Në qendër të takimit ishin zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nevoja e krijimit të një fryme të re bashkëpunimi, me synim minimizimin maksimal të propogandës dhe influencës së aktorëve të tretë dashakeqës ndaj zhvillimeve euroatlantike të vendeve të rajonit.

Presidenti Begaj vlerësoi rolin aktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimin personal të Lord Peach në këtë drejtim, krahas kontributit të të dërguarve të posaçëm amerikanë dhe të BE-së.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek efektet negative që ka prodhuar lufta në Ukrainë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak”Pew Research”: Gjashtë nga 10 amerikanë kanë bërë një pushim nga Twitter
Artikulli tjetërParashikimi i motit, 21 maj 2023