TIRANË, 15 maj /ATSH – I. Vata/ Drejtuesi Politik i partisë Socialiste për Qarkun e Lezhës, Ulsi Manja shpalli sot nga selia e PS-së fitoren e Pjerin Ndreut për bashkinë e Lezhës.
Manja falënderoi qytetarët e Lezhës për mbështetjen e kandidaturës së Pjerin Ndreut për të drejtuar bashkinë e Lezhës.
“Një përshëndetje për të gjithë skuadrën socialiste në Lezhë për të gjithë qytetare e Lezhës për këtë fitore spektakolare të Pjerin Ndreut në krye të bashkisë së Lezhës. Fitorja e Pjerinit ishte një fitore e pastër spektakolare, por qytetarët e Lezhës, me qytetari i thanë stop një modeli të gjuhës fyese e përçarëse të dasive krahinore. Dhe, siç e keni parë, kundërshtarët politik betoheshin se do ta përcjellin Pjerin Ndreun dhe Ulsi Manjën me datën 15 deri tek ura e Milotit se nuk kanë lidhje me Lezhën. Por Lezha foli, jo vetëm për Pjerinin në krye të Bashkisë Lezhë, por dha një votë ndëshkuese për këtë model politike, që jo vetëm ishte një leksion qytetarie, por thanë ju duam në Lezhë me Edi Ramën për të vazhduar përpara”, tha ai.
Kryetari i porsazgjedhur në mandatin e dytë në bashkinë e Lezhës, Pjerin Ndreu premtoi investime në 4 vitet e ardhshme për ta bërë Lezhën qytet evropian.
Ai tha se, “e kam për krenari të jem në krye të bashkisë së Lezhës edhe 4 vitet e ardhshme dhe të shërbej me përkushtim e devotshmëri për ta zhvilluar më tej qytetin e mrekullueshme të Lezhës, që natyra i ka falur gjithçka, por njerëzit se kanë vlerësuar si duhet”.
“Na duhet shumë punë, shumë mund, shumë djersë, që ne të rreshtohemi në qytetet më të bukura të Shqipërisë. Ajo që ne do të bëjmë 4 vite më pas në Lezhë do të jetë 5-fishi i punës që kemi bërë deri më sot. Lezha do të jetë evropiane dhe shumë më mirë se sa ishte”, theksoi Ndreu.
/gj.m/r.e/























