TIRANË, 15 maj /ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për kryetar bashkie në Korçë, Sotiraq Filo, i cili u shpall fitues në zgjedhjet vendore të 14 majit siguroi sot se, “një program i ri zhvillimi fantastik me investime e projekte të reja do të marrë jetë në 4 vitet në vijim”.
Në një prononcim për mediet nga selia e PS-së, bashkë me kandidatët e tjerë fitues në Maliq, Pustec, Devoll, Pogradec, Kolonjë, Filo u shpreh se, “Korça ka njohur një zhvillim multidimencional, por programi i ri që do të zbatojmë synon të transformojë standardin e jetesës për të gjithë familjet në qytet dhe në fshat të bashkisë së Korçës”.
“Ky program synon të sjellë zhvillimin e sektorëve kryesor ekonomik që gjeneron punësimin e të rinjve dhe të reja në bashkinë Korçë, duke u krijuar atyre të njëjtat standarde jetese dhe punësimi si bashkëmoshatarët e tyre në Europë”, tha Filo.
Ai tha se, “tani është detyra jonë t’ua kthejmë me punë, besimin për votën që na dhatë”.
Në bashkinë e vogël të Pustecit, në qarkun e Korçës është shpallur fitues kandidati i PS, Pali Kolefski, i cili ka marrë një tjetër mandat.
Ai tha se, “bashkia jonë është më e vogla dhe rezultatin e fitores e nxori e para”.
“Fitorja jonë do të thotë që ne të flasim me vepra dhe punë për zhvillimin e zonës tonë”, theksoi Kolefski.
Ndërsa, Gëzim Topçiu, fitues i bashkisë Maliq, u shpreh se, fitorja e këtyre zgjedhjeve tregoi se nuk ka më bastione, por ka punë dhe rezultate që çojnë përpara vendin.
“Tashmë punë jonë është puna për qytetarët dhe nga sot kemi filluar të mendojmë për punët ndaj qytetarëve”, tha ai.
Eduart Duro, fitues në krye të bashkisë Devoll u shpreh se, pas 30 vitesh fitojnë bashkinë Devoll, duke shënuar një hap të ri për zhvillimin e Devollit.
“Ky mandat është për Devollin dhe devollinjtë një përgjegjësi e madhe për të çuar punët përpara”, tha ai.
/gj.m/r.e/












