TIRANË, 9 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një takim në Pogradec u bëri thirrje banorëve të këtij qyteti të votojnë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e 14 majit, Zini Tollozhina.
Në fjalën e tij, Meta tha se “kam ndjerë një kënaqësi të veçantë gjatë kësaj fushate të jem me ju, të jem me Zini Tollozhinën, me të gjithë ju, me ekipin e shkëlqyer të këshilltarëve këtu në Pogradec të dalim e të takojmë qytetarë të ndryshëm të Pogradecit, të cilët janë të etur për ndryshimin, sepse Pogradeci ka qenë i lënë pas dore nga Rilindja me përbuzje përgjatë gjithë këtyre viteve”.
“Bashkia e Pogradecit është në prag të falimentimit vetëm nuk e kanë shpallur, me miliarda lekë borxhe dhe padyshim që ai do të ikë, sepse i kishte të gjitha mundësitë të bënte diçka për Pogradecin dhe kurrë nuk e bëri një gjë të mirë për këtë komunitet kaq punëtor, kaq paqedashës, kaq patriot, kaq të ndershëm”, nënvizoi Meta.
Meta u shpreh se “ju dini se Pogradeci ka vuajtur si askush tjetër në këto 4 vite edhe nga shpopullimi, nga largimi i rinisë. Një vend pa rini është si një shtëpi pa fëmijë”.
“Ndaj t’i japim fund shpopullimit, t’i japim fund këtij regjimi që dëbon të rinjtë dhe të rejat, t’i japim fund një qeveria që ka në program shpopullimin. Ju jeni fqinj me Maqedoninë dhe ju e dini sesi e mbështet Maqedonia prej vitesh bujqësinë, blegtorinë, turizmin dhe gjithçka. Ndërsa këtu në mënyrën më të qëllimshme nxitet shpopullimi, nxitet largimi i të rinjve dhe të rejave nga trevat më patriotike të vendit. Aty ku mundësitë për zhvillim janë të jashtëzakonshme por ku mungon vullneti”, vijoi Meta.
“Ndaj programi i Zini Tollozhinës është një mundësi e shkëlqyer për Pogradecin. Ulja e taksave, përkrahja e të gjithë njerëzve punëtorë të Pogradecit për të zhvilluar bizneset e tyre familjare. Njëkohësisht dua të shpreh bindjen time të plotë që Pogradeci do t’i bashkohet atij ndryshimi që është i qartë dhe i vendosur nga Tropoja në Kukës, deri në Sarandë e deri në Konispol. Ka ikur, prandaj hungërinte ashtu në Himarë e do të vazhdojë me ato hallet e tij, për arsye sepse u bënë 11 vjet, 11 vjet dhe ka një bilanc katastrofik”, theksoi ai.
“Kemi gjysmën e buxhetit të Kosovës. Por Kosova i gjen 100 euro për të mbështetur të rinjtë dhe të rejat që të mos i lënë studimet, por të vazhdojnë studimet. I gjen edhe 100 euro shtesë edhe për pensionistët. Jep një mbështetje të jashtëzakonshme për bujqësinë për blegtorinë, për të gjithë ata që ecin në fushën e inovacionit dhe të startup-ve. Ndërsa ky nuk i kursen qindra milionë euro për aferën e shekullit të inceneratorëve që janë firmat e tij, që kurrë nuk do të harrohen dhe ai do të mbajë përgjegjësinë tij. Ndaj, nuk dua të zgjatem më tej. Të vrapojmë çdo sekond në këto katër ditë për të kërkuar vota për Zini Tollozhinën për ndryshimin për Pogradecin dhe për të gjithë Shqipërinë. Fitorja e padiskutueshme është në Tiranë me Belind Këlliçin, në Durrës me Igli Carën, në Elbasan me Luçiano Bocin, në Korçë me profesore Ledina Alolli dhe në Pogradec me Zini Tollozhinën”, tha Meta.
/k.s/r.e/




















