Ballina Aktualitet

Karabina: Të zbatohet ligji për kohën televizive

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Shefja e fushatës së Partisë Demokratike për Tiranën, Mirela Karabina dekalroi sot se, “sipas raportit të Autoritetit të Mediave Audiovizive publikuar një ditë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për sa i përket kohës televizive të përdorur nga subjektet zgjedhore, që marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit, rezulton se hapësira televizive nga televizionet shqiptare është shpërndarë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor shqiptar dhe ligjet në fuqi”.

Në një deklaratë për shtyp, Karabina theksoi se, “Partia Demokratike, e cila duhet të ketë një kohë televizive të barabartë me Partinë Socialiste, si dy forcat më të mëdha politike parlamentare, renditet vetëm e treta në kohën televizive, duke shkelur kështu parimet e informimit të publikut gjatë fushatave zgjedhore, element shumë i rëndësishëm për një garë të drejtë dhe demokratike”.

Gjithashtu, vijoi Karabina, “koha televizive më e madhe nga mediet shqiptare është dhënë në mënyrë të padrejtë dhe të pakuptueshme për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kodin Zgjedhor”.

“Megjithë propagandën e liderëve të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, me mashtrime të opinionit publik për shitje, blerje apo pengje të Partisë Demokratike, faktet tregojnë totalisht të kundërtën. Shumica e televizioneve janë vënë totalisht në shërbim të koalicionit “Bashkë fitojmë” duke pasqyruar në shumicën e kohës drejtuesit e këtij subjekti zgjedhor dhe duke mospasqyruar aktivitetin politik të Partisë Demokratike gjatë fushatës sipas përcaktimeve të kodit zgjedhor”, nënvizoi Karabina.

Karabina vuri në dukje se, “kjo ndodh për dy arsye, ose koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ paguan shuma të mëdha parash për kohën televizive, ose këto televizione shkelin me vetëdije ligjet në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Në të dyja rastet, ne kërkojmë transparencë për paratë e shpenzuara, ose monitorim të televizioneve nga institucionet përkatëse”.

Partia Demokratike i bëri thirrje institucioneve përkatëse, KQZ-së, AMA-s dhe çdo institucioni tjetër të monitorojnë zbatimin e ligjeve në fuqi, të monitorojnë shpenzimet financiare të subjekteve zgjedhore të cilat nuk justifikohen ligjërisht.

Gjithashtu, tha Karabina, “Partia Demokratike gjen rastin t’i bëjë thirrje edhe një herë televizoneve shqiptare të kryejnë detyrën e tyre sipas ligjeve dhe Kodit Zgjedhor në fuqi”.

/k.s/ /gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama nga Bulqiza: Mbështetje grave për të krijuar të ardhura dhe punësim
Artikulli tjetërBRUKSEL – Komisioni i BE-së masa të përbashkëta kundër korrupsionit