TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kryetar bashkie në Elbasan, Luçiano Boçi prezantoi sot përmes rrjeteve sociale, disa nga pikat e programit të tij për të rinjtë.
Sipas tij, të rinjtë janë lodhur me politikën dhe me dështimet etike të saj. “Ata kanë nevojë për një politikë me tipare njerëzore, që nuk fyen dhe nuk ndot. Të rinjtë kanë nevojë të besojnë tek njerëzit. Në dallim prej moshës së mesme, të rinjtë e sotëm dinë ta ndërtojnë bashkëpunimin edhe kur mes tyre lexojnë ndasi”, u shpreh ai.
Sipas Boçit, të rinjtë janë dritarja prej ku ne të gjithë mund dhe duhet ta shohim të ardhmen tonë si qytetërim.
Duke iu drejtuar të rinjve të Elbasanit, Boçi tha se ka vetëm një rrugë për t’u ringjitur në lartësinë e ëndrrave të tyre.
“Falë projekteve të zhvillimit dhe përmes ripohimit të pronësisë së tyre mbi politikën dhe pronën publike. Ata janë të parët që duhet të përfshihen në idenë time për Technopolis-in në Elbasan: duke mësuar si të programojnë, si të kodojnë, si të lexojnë zhvillimet më të reja të teknologjisë dhe si të përgatiten për një shkollë gjithnjë e më sfiduese. Qendrat e Teknologjisë për të rinjtë në çdo lagje do të marrin këtë mision”, tha ai.
Po ashtu, Boçi ftoi të rinjtë të regjistrohen në shkollat profesionale për të mësuar si të bëjnë përpunim imazhi filmik, fotografi, në shkollën e kineastëve dhe në drejtimet e tjera profesionale që do të aktivizohen në Elbasan.
“Ata janë më të preferuarit për të nxjerrë nga harresa zejet tona të mrekullueshme, ndërsa Muzeu i Gjallë i Zejeve do të nisë të ngrihet, brenda parkut tematik tregtar të Elbasanit. Si prind, si mësues dhe si qytetar i parë është detyra ime që t’u jap të rinjve hapësirën e virtytit dhe frymën e forcës që i nxit të kërkojnë më shumë, të arrijnë më tepër dhe të besojnë më ndershëm tek vetja. Unë besoj tek ndryshimi, sepse besoj tek rinia. Ata janë forca reale e ndryshimit”, tha ai.
/r.e/






















