TIRANË, 1 maj /ATSH – I. Vata/ Partia Socialiste ka vijuar rrugëtimin e gjelbër për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Librazhdit.
Kandidati i Partisë Socialiste për Librazhdin Mariglen Disha, në takimin, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, u tha qytetarëve se do të mbajë premtimin për të përmirësuar jetën e tyre.
“Ju jap fjalën se vizionin që ka Partia Socialiste unë do ta çoj përpara. Në të gjitha takimet që kam bërë me ju, kam shënuar të gjitha problemet që keni dhe ato premtime që ju kam dhënë do t’i mbaj dhe nuk do t’i shmang asnjë moment. Librazhdi nuk ndalet, do të ecë vetëm përpara me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama. Më 14 maj ne do të votojmë për të ardhmen tonë, për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe krijimin e vendeve të punës”, tha ai.
Disha theksoi se, “vizioni ynë është rikonstruksioni i rrugëve të fshatrave, përmirësimi i kushteve të shkollave dhe qendrat shëndetësore”.
“Me mbështetjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama, fondet për Librazhdin vetëm do të rriten. Ne ecim vetëm përpara dhe kurrë më mbrapa”, tha ai.
/r.e/























