Ballina Flash

Bejko, takim tek “5 Maji”: Kompensojmë banesat e shembura padrejtësisht

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi një takim me banorë të zonës së “5 Majit”, të cilëve iu premtoi se nëse PD do të drejtojë bashkinë e Tiranës pas 14 majit, do të kompensojë të gjithë ata banorë që iu janë prishur shtëpitë padrejtësisht.

Bejko tha se kompensimi i banorëve të zonës së “5 Majit” do të bëhet sipas vlerës së tregut.

Bejko u ndal edhe në projektvendimin për prishjen e banesave 50-vjeçare, për të cilat tha se kjo është qartë dhunim i pronës së qytetarëve dhe vjedhje e tyre, me qëllim që të përfitojnë klientët e qeverisë apo bashkisë. Kompensimi, sipas tij, nuk do të jetë vetëm për banorët e “5 Majit”, por për të gjitha rastet kur ka pasur abuzim nga bashkia Tiranë, nën drejtimin e Veliajt.

“Sipas informacioneve që kemi, bashkia nuk ka bërë asnjë kontratë, nuk i ka siguruar askujt nga ju një banesë ku ai të strehohet pas asaj reprezalje që u bë te zona e “5 Majit”. Në këto kushte, reagimi juaj është i drejtë. Në një shtet ligjor ku drejtësia prevalon mbi politikën, banorët e “5 Majit” fitojnë gjyqin, do të fitojnë gjyqin, qeveria nuk ka bërë asgjë më shumë me banorët e “5 Majit”, me atë që kërkon të bëjë me banorët e gjithë Tiranës, duke i njoftuar se do të prishi të gjitha ato shtëpi, ato banesa, që janë ndërtuar prej 50 vjetësh, me pretekstin se ato rrezikojnë shembjen nga tërmeti. Të njëjtën gjë bën edhe te ju. Ju thanë se banesat tuaja rrezikohen nga tërmeti dhe janë prekur nga tërmeti që ka rënë në vitin 2019, ndërkohë që sipas konstatimit tuaj dhe të ekspertëve aty nuk ka pasur asnjë shenjë që tërmeti të bënte dëme”, tha ai.

Ai e cilësoi një vjedhje e pastër, një dhunë të pastër të shtetit për të krijuar pronarë të rinj, klientë të qeverisë, të bashkisë, apo edhe klientë të huaj që bashkëpunojnë me qeverinë, siç ka qenë rasti, sipas tij, i bashkëpunimit ose vetofrimit vullnetar të të famshmit Boero, që po e bën Tiranën lëmsh.

“Një arkitekti dhe një studioje të tij që në Itali është e refuzuar dhe e trajtojnë si sharlatan. Ky sharlatan vjen në Shqipëri dhe përdoret, instrumentalizohet nga kryetari i bashkisë dhe nga kryeministri Edi Rama, ose e thënë troç, nga kryeministri dhe çiraku i tij, që është kryetari i bashkisë, Erion Veliaj”, u shpreh Bejko.

Bejko premtoi se do të rikuperonte gjithçka është e mundur.

“Me fitoren e Partisë Demokratike të bashkisë së Tiranës, natyrisht e drejta do të shkojë në vend. Do të rikuperojmë gjithçka është e mundur për të rikuperuar dhe banorët do të marrin të drejtën me vlerën e tregut, atje ku do të gjykohet që të bëhet kompensimi monetar, dhe në vlerë reale, me metra katrorë, aty ku ndërtimi ka filluar dhe po ecën në pronën e vet. Ky është premtimi që ne bëjmë jo vetëm për zonën e “5 Majit”, në të gjitha rastet e abuzimit që ka bërë pushteti me banorët e pambrojtur të Tiranës”, deklaroi Bejko.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Mbi 100 personalitete, shkrimtarë dhe aktorë, i kërkojnë Putinit lirimin e Navalnyt
Artikulli tjetërSHBA – Senati aprovon kandidaturën e David Kostelancik si ambasador i ri i SHBA-së në Shqipëri