Ballina Bota

BRUKSEL – BE 1,5 miliardë euro shtesë për Ukrainën

BRUKSEL, 25 prill /ATSH-ANSA/ – Sot ne po i ofrojmë Ukrainës 1,5 miliardë euro shtesë si pjesë e paketës sonë vjetore të ndihmës makro-financiare, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen në një njoftim në Twitter.

“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën që t’i rezistojë agresionit të Rusisë, të mbajë funksionimin e institucioneve dhe infrastrukturës së saj dhe të kryejë reforma vendimtare”, theksoi Von der Leyen.

Komisioni miratoi sot një pagesë të tretë prej 1,5 miliardë euro sipas paketës së Ndihmës Makro-Financiare për Ukrainën, me vlerë deri në 18 miliardë euro.

Me këtë instrument, BE-ja kërkon të ndihmojë Ukrainën të mbulojë nevojat e saj të menjëhershme për financim, me mbështetje financiare të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të konsiderueshme në vitin 2023.

Kjo mbështetje do të ndihmojë Ukrainën që të vazhdojë të paguajë pagat dhe pensionet dhe të mbajë funksionimin e shërbimeve thelbësore publike, si spitalet, shkollat dhe strehimin për banorët e zhvendosur.

Ai gjithashtu do të lejojë Ukrainën të sigurojë stabilitet makroekonomik dhe të rindërtojë infrastrukturën rëndësishme të shkatërruar nga Rusia në luftën e saj të agresionit, si infrastruktura energjetike, sistemet e ujit, rrjetet e transportit, rrugët dhe urat.

Që nga fillimi i luftës, mbështetja për Ukrainën dhe ukrainasit arrin në rreth 68 miliardë euro.

Kjo përfshin mbështetjen financiare, humanitare, buxhetin e emergjencës dhe ushtarake për Ukrainën nga BE-ja, vendet anëtare dhe institucionet financiare evropiane, si dhe burimet e vëna në dispozicion për të ndihmuar shtetet anëtare të plotësojnë nevojat e ukrainasve që ikin nga lufta./ /a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: U dhamë statusin naftëtarëve, nuk jemi të gjithë njësoj
Artikulli tjetërVeliaj e Manastirliu në njësinë 9: Të vazhdojmë përpara me projektet e Bulevardit të Ri