TIRANË, 10 prill /ATSH/ Yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare po vazhdojnë rënien.
Në ankandin e fundit të obligacioneve 2-vjeçare kuponi dhe yield-i uniform i pranuar pësoi një rënie të mëtejshme në nivelin 4.35 %, nga 4.5 % që kishte qenë në ankandin e fundit që ishte zhvilluar në fillim të muajit mars.
Rënia e yield-eve po përcaktohet kryesisht nga likuiditeti i lartë në treg dhe interesi i lartë nga investitorët për të investuar në titujt qeveritarë.
Nga 6 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankandin e obligacioneve 2-vjeçare arriti në 9.26 miliardë lekë. Ministria e Finacave vendosi të rrisë shumën e pranuar në 6.9 miliardë lekë, siç ka ndodhur shpesh në muajt e parë të këtij viti.
Yield-et e bonove dhe obligacioneve shënuan një rritje në vjeshtën e vitit të kaluar, si rezultat i rritjes së shpejtë të normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Por, pas muajit dhjetor tendencat ndryshuan dukshëm, gjë e cila po vijon edhe në muajt e parë të këtij viti.
/gj.m/r.e/























