TIRANË, 9 prill/ATSH/ Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj uroi sot të gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkës.
“Ringjallja është dëshmia se dashuria për tjetrin është më e fortë se vetë vdekja e mund të transformojë jetët tona. Ndaj kjo Pashkë qoftë e bardhë, sjelltë paqe, e ju bekoftë me mirësi”, uroi ai.
Besimtarët katolikë kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit, një nga momentet më të rëndësishme në kalendarin e festimeve për besimtarët katolikë.
Pashkët paraprihen nga koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë që quhen Kreshmë që fillon nga e “Mërkura e Përhime”, dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës. Gjatë kohës së Kreshmës, përkujtohen ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit në lutje e agjërim./m.m/























