TIRANË, 2 prill/ATSH/ Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në një deklaratë për shtyp nga landfilli i Tiranës u shpreh se kjo gropë korrupsioni, si e cilësoi ai, merr 41 mijë euro.
Këlliçi theksoi se “kjo gropë korruptive mer çdo ditë paratë e një çerdheje që nuk nis të ndërtohet në Astir, një shkollë që nuk nis te Liqeni i Thatë, një përmirësim në furnizimin me ujë që nuk ndodh, një trotuar që nuk rregullohet diku. Për shkak të asaj grope korrupsioni, janë mijëra të moshuar, studentë, familjarë, njerëz që nuk u del, që vuajnë për të mbyllur muajin, të cilëve nuk u ofrohet transporti publik falas, për të zbutur sadopak koston e tyre të jetesës”.
“Kisha vendosur të mos merresha me Veliajn dhe jam në këtë garë për të treguar programin tim, zgjidhjet që parashikoj. Por faktet e reja të zbuluara nga emisioni Piranjat, janë dëshmi që vërtetojnë edhe një herë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Erjon Veliajt në këtë lloj afere, për të cilën deri më tani janë në burg një ministër, një deputet, dhe po hetohet një zëvendëskryeministër”, theksoi Këlliçi.
Këlliçi u shpreh se “dëshmitë e reja tregojnë se Erjon Veliaj është përfshirë në marrjen e një inceneratori të vjetër, skarco, nga Rumania, për ta sjellë në Tiranë. Aq i zgjebosur ka qenë ky incenerator, sa rumunët kanë paguar 75 mijë euro për çmontimin e tij, pra që t’jua heqin qafe”.
“SPAK duhet të mos heshtë dhe duhet ta gjejë e të na thotë: ku ka shkuar inceneratori rumun? Në Fier, Elbasan apo mbahet diku, që të vendoset në Tiranë kur të mos e ketë kush mendjen? Erion Veliaj është kokë e këmbë në denoncimin e biznesmenit italian për skandalin e inceneratorëve, por Tirana nuk ka incenerator. Tirana jonë nuk ka djegës, i çon mbeturinat në landfill dhe i gropos, por sërish pagesat bëhen për incenerim”, tha ai.
/k.s/























