Ballina Aktualitet

Prokuroria: Konfiskim pasurisë së dy vëllezërve të arrestuar në Spanjë

TIRANË, 1 prill /ATSH – I. Vata/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon konfiskimin e pasurive të dy vëllezërve A.L. dhe O. L., të arrestuar dhe nën hetim në Spanjë në 2018, për trafikimin me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

“Shtetasi A.L., u arrestua për v. penale, “Trafikim i personave të rritur”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 110/a/4 i K.Penal. Ndërsa shtetasi O.L., është nën hetim nga autoritetet policore spanjolle për të njëjtën vepër penale. Nga hetimet e kryera nga prokuroria Tiranë, rezulton se shtetasit A. L. e O. L. janë përfshirë edhe në aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve prej vitit 2018. Pasuritë e tyre janë krijuar pas dhe gjatë periudhës së aktivitetit kriminal dhe vlera e tyre nuk i përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria vlerëson se, dy vëllezërit dhe familja e tyre janë në pamundësi financiare të justifikojnë këtë pasuri dhe kërkon konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme: Apartament, sipërfaqe 80.90 m2 në Tiranë; dhe Makinë, Audi 6.

“Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohen Zyrat e Përmbarimit Tiranë, ndërsa për Administrimin dhe përdorimin e pasurive ngarkohet Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme”, njofton Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNORVEGJI – Sekuestrim rekord kokaine
Artikulli tjetërPIKTURË – 50 vjet pas vdekjes, Pikaso një gjeni apo përbindësh?