TEL AVIV, 27 mars /ATSH-ANSA/ – Protesta popullore kundër reformës në drejtësi të planifikuar nga qeveria e Netanyahut, e shkaktuar nga shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant po përhapet në të gjithë vendin.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu shkarkoi dje në mbrëmje ministrin e Mbrojtjes, Yoav Galant pasi i bëri thirrje qeverisë të ndalojë reformën e saj të diskutueshme gjyqësore.
Në aeroportin “Ben Gurion” u pezulluan të gjitha nisjet, me iniciativë të punonjësve të tij të mbështetur nga sindikata.
Protestës i është bashkuar edhe kompania El Al.
Porti tregtar “Ashdod”, në jug të Izraelit, u bllokua gjithashtu nga një protestë e befasishme.
Mëngjesin e sotëm u shpall edhe një protestë e papritur në spitale.
Universitetet kanë shpallur pezullim të mësimit pa afat pasi sipas tyre, nuk mund të ketë jetë akademike kur nuk ka më demokraci.
Gjithashtu, janë mbyllur edhe qendra të shumta tregtare, dhe ka patur trazira mes punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas raportimeve të medias, mbyllja e degëve të bankave është gjithashtu e mundur, edhe nëse kjo kërkon autorizim të veçantë.
Transporti publik është lejuar të vazhdojë shërbimet e tij, në mënyrë që demonstruesit të arrijnë në Jerusalem për të marrë pjesë në një demonstratë të madhe përpara parlamentit.//a.i/






















