Ballina Aktualitet

Miratohen kriteret për personelin e pajisjeve elektronike të identifikimit të zgjedhësve

TIRANË, 17 mars/ATSH – I. Vata/ Komisioni Rregullator shqyrtoi dhe miratoi kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë personeli i kualifikuar për përdorimin e pajisjes elektronike të identifikimit të zgjedhësve në qendrën e votimit, si dhe të procedurave të rekrutimit.

Vendimi ka përcaktuar kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë shtetasi shqiptar që caktohet si operator teknik për përdorimin e pajisjes elektronike të identifikimit të zgjedhësve (PEI), procedurat e përzgjedhjes dhe të caktimit të operatorit teknik, si dhe përgjegjësitë e operatorit teknik gjatë ofrimit të shërbimit.

Pranimi i operatorëve teknikë do të bëhet në bazë të parimit të konkurrimit të hapur dhe aplikimi nga të interesuarit do të kryhet në faqen elektronike zyrtare të KQZ-së, në një rubrikë të veçantë të krijuar për këtë qëllim.

Shtetasit e interesuar vetëdeklarojnë lidhur me të dhënat e kërkuara për përmbushje të kërkesave, duke plotësuar fushat përkatëse dhe dërgojnë në rrugë elektronike në KQZ formatin e plotësuar.

Shtetasit e përzgjedhur i nënshtrohen trajnimit dhe testimit të njohurive, për shërbimin si operator teknik. Procesi do të drejtohet, mbikëqyret dhe monitorohet nga Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Jo më vonë se 7 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, Komisioneri dhe Nënkomisioneri caktojnë operatorët teknikë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Stoltenberg mirëpret planet turke për të ratifikuar ofertën e Finlandës në NATO
Artikulli tjetër“Punishtja e Demokracisë” priti sot nxënës të shkollave 9-vjeçare