Ballina Ekonomi

Banka Botërore vlerëson progresin në procedurat doganore me Kosovën

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Një mision i ekspertëve të projektit të Bankës Botërore “Mbi mbështetjen e lehtësimit të tregtisë” (World Bank’s Trade Facilitation Support Project – TFSP II) zhvilloi një vizitë studimore dhe disa takime në degën doganore të Morinës (Kukës) me përfaqësues të Doganave, Policisë Kufitare dhe AKU-së.

Drejtuesja e projektit, Violane Konar-Leacy dhe eksperti i Doganave, Colin Gazeley, vlerësoi progresin e dukshëm të procedurave doganore në pikën e përbashkët me Kosovën Morinë-Vermicë sa i përket digjitalizimit të shërbimeve doganore dhe rritjen e numrit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar.

Ekspertët e projektit panë nga afër procedurat doganore dhe vlerësuan reduktimin e kohës (rekord në më pak se 30 sekonda) të procesimit të deklaratave import-eksport dhe transit nga Kosova drejt tregjeve ndërkombëtare, që kalojnë nga Morina për të përdorur më tej doganën në Portin e Durrësit.

Një nga komponentët kryesorë të projektit TFSP II është mbështetja e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor duke zhvilluar procedurat e kontrollit të përbashkët doganor me një ndalesë (one stop shop) dhe sipas Traktatit të Komunitetit të Transportit pika doganore Shqipëri-Kosovë (Morina/Vermica) është ndër prioritaret për këtë lehtësim.

Prej datës 1 tetor 2022, Dogana e Kosovës ka nisur në Portin e Durrësit zhdoganimin direkt të mallrave që kanë destinacion Kosovën, duke i mundësuar ekonomisë së Kosovës që praktikisht të ketë qasje në det dhe duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve kosovare në eksportet në tregjet ndërkombëtare drejt BE, SHBA-së etj.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti takim me Escobar: Propozimi evropian, bazë e mirë për të ecur përpara
Artikulli tjetërRama propozon Vlora Hysenin si drejtore e SHISH