Ballina Ekonomi

Balluku: Ura e Bunës, afërsisht 1.5 miliardë lekë

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen me Malin e Zi për ndërtimin e Urës së Bunës, e cila do të lidhë dy vendet.

Ndërtimi i Urës së Bunës u ra dakord në mbledhjen e dy qeverive që u mbajt më 27 shkurt, në Mal të Zi.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, në një prononcim për mediet, se, projekti parashikohet të kushtojë rreth 1.5 miliardë lekë dhe do të ndahet nga dy qeveritë.

“Dy vendet kanë një vijë bregdetare afërsisht 24 km dhe vizitorëve iu duhet të përshkojnë 73 km, ose 1.5 orë me mjete, sepse duhet të kalojnë përmes Pikës së Kalimit Kufitar Murriqan. Ndërkohë që me ndërtimin e Urës së Bunës prej 310 m, kjo distancë shkurtohet në 2 minuta”, tha Balluku.

Sipas zv/kryeministres Balluku, të dhënat flasin për 360 mijë turistë shqiptarë që vizitojnë Malin e Zi dhe rreth 170 mijë qytetarë nga Mali i Zi që vizitojnë Shqipërinë.

Balluku informoi po ashtu se, ka nisur puna për hartimin e projektit që do të kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIbrahimaj: Bordi, ndikim në uljen e çmimit të karburanteve
Artikulli tjetërRama: Sipërmarrja private të rrisë pagat, mos të rrezikojë humbjen e kapitalit njerëzor