Ballina Flash

Partizani fiton 2-0 derbin ndaj Tiranës

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Partizani mposhti 2-0 Tiranën në derbin e kryeqytetit.

Ndeshja e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” ishte spektakolare dhe shumë emocionuese.

Ishte futbollisti Mba në pjesën e parë dhe Cara në të dytën, që vulosën këtë sukses të “demave të kuq”, që tashmë morën kreun e renditjes së kampionatit, në të njëjtën kuotë pikësh me skuadrën bardheblu të Tiranës.

Partizani e dominoi sfidën, teksa protagonistë ishin edhe tifozët e shumtë në shkallët e stadiumit, të cilët bënë që ndeshja të ndërpritej disa herë për shkak të hedhjes së flakadanëve në fushë.

Partizani e nisi mirë takimin teksa ishte Mba që shënoi në minutën e 20-të me kokë, pas një krosimi nga Hadroj në krahun e djathtë.

Ky gol i dha entuziazëm dhe ritëm lojës teksa ishte Tirana që fitoi një 11 metërësh në minutën e 40-të, por më pas arbitri Xhaja e anuloi vendimin pasi pa rastin në sistemin VAR.

Në pjesën e dytë ishte Hasani që shëoi për bardheblutë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në minutën e 63-të arbitri Xhaja akordoi një tjetër penallti, këtë radhë për Partizanin. Por goditjen e kapiten Telushit e priti portieri Bakaj.

Në minutën e 80-të Partizani dyfishoi rezultatin, teksa ishte Cara që përfitoi nga një gabim i mbrojtjes bardheblu.

Pas këtij derbi, të dyja skuadrat gjenden në krye të tabelës së klasifikimit me nga 40 pikë secila.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRritja e pagave për mjekët specialistë, Manastirliu: Përfitojnë rritje me 500 dollarë në muaj 2 mijë mjekë
Artikulli tjetërKIEV – Zelensky zotohet të luftojë për Bakhmutin ndërsa sulmet ajrore ruse godasin Ukrainën