Ballina Flash

Kushi: Po punojmë që studentët të akomodohen në kushte sa më të përshtatshme

TIRANE, 4 mars/ATSH/ 19 konvikte tv Qytetit Studenti do të rinovohen me eficiencë energjetike ndërsa do të ndërtohen 3 godina të reja.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ishte e pranishme sot në ceremoninë e përbashkët ku morën pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ambasadori gjerman Peter Zingraf, i Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Alexis Hupin, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, dhe Drejtoresha e Zyrës së KfË-së në Shqipëri, Brit Horschke, për të dhënë lajmin e mirë.

Kushi solli përvojën e brezave të mëparshëm në Qytet Studenti me shumë privime, ndërsa tha se sot flitet për eficiencë energjetike, ndërkohë që atëherë flitej për nevojat më bazike.

“Veçanërisht në arsimin e lartë ne po punojmë në dy drejtime, nga njëra anë për infrastrukturën e fakulteteve, sallat, bibliotekat, laboratorët, pajisjet, mobilimi i brendshëm i tyre, e ndërkohë nga ana tjetër edhe për rezidencat universitare, për konviktet që studentët të akomodohen në kushte sa më të përshtatshme dhe të jenë sa më të motivuar për të mësuar që të bëhen nesër profesionistë të denjë dhe qytetarë të denjë”, tha Kushi.

“Unë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, jo vetëm për mbështetjen që i jep arsimit në përgjithësi, por për vendimin e guximshëm që mori në fillim të këtij viti akademik, duke përgjysmuar tarifat e studentëve që akomodohen në rezidencat universitare, ashtu sikurse edhe për transportin falas për të gjithë studentët. Ishte një vendim në momentin e duhur”, vijoi Kushi.

“Dua ta theksoj që ne kemi ndërhyrë në të gjitha universitetet publike, duke filluar që nga rezidencat e Universitetit të Shkodrës, Universitetit të Vlorës, Universitetit të Gjirokastrës, të Elbasanit, të Korçës, së fundmi kemi konviktet e Universitetit të Mjekësisë që janë gjithashtu me kushte, me standarde ndër më të mirat.

Po ashtu kemi kampusin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku dhe aty, madje ai do të jetë një nga kampuset më të mira në rajon, jo vetëm në Shqipëri”, vijoi ajo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakARKEOLOGJI – Zbulohet kalim i ri sekret brenda piramidës së Keopsit
Artikulli tjetërMicrosoft bëhet më ”njerëzor” me aplikimin e ChatGpt